“MAGUS”

Më në fund një lajm i mirë…

Në Tiranë është hapur një librari e re.

Quhet, “Magus” !

Lajm i mirë, sepse në Tiranën e fillim shekullit të XXI, hapen pijetore që për të ngjarë modernë, shqiptarëve i pëlqen ti quajnë “Bar” apo “Pab”, hapen pafund “zgara” greke, turke, piceri italiane, qebaptore e paidhaqtore, por jo librari…

Të hapësh një Librari në Tiranën e shekullit të XXI është marrëzi, sepse, shqiptarëve të fillim shekullit të XXI ju pëlqen të hanë qofte (qoftet e zgarës, qoftet e politikës, qoftet e korrupsionit), të lëpihen si qentë në kërkim të qofteve, të vdesin në spital për shkak të qofteve, të votojnë si qofte për mashtruesin, banditin, përdhunuesin, maskarain, horrin e radhës, të qahen për fatin e keq që kanë lindur shqiptarë dhe që hanë qofte, por…

Nuk ju pëlqen aspak të lexojnë.

Pra…

Nuk bëjnë të vetmen gjë që do ti shpëtonte nga qoftet,  nga mashtruesit,  nga përdhunuesit, nga maskarenjtë, nga horrat që i qeverisin e ja u bëjnë jetën varr dhe Shqipërinë ferr.

Sa do të jetojë libraria “Magus”?

Një muaj?

Dy?

Një vit…?

Sepse, nuk është e lehtë që një librari të mbijetojë në Shqipërinë e fillim shekullit të XXI, ku libri, dituria, shkronjat shqip, urrehen dhe përbuzen.

Pikërisht, për këtë arsye, librarëve të rinj të “Magusit” i shpreh admirimin tim dhe librarisë i uroj jetë të gjatë sepse, hapja e “Magusit”, të jep shpresë se  ndoshta një ditë, drita e diturisë do të triumfojë mbi errësirën e horrllëkut që ka ngërthyer Shqipërinë.

Përse libraria është quajtur Magus?

Fare e thjeshtë…

Vetëm midis faqeve të librave mund të gjejmë shkopin magjik i cili do të na ndihë të ndryshojmë Shqipërinë, dhe…

Meqë kryeministrit i pëlqen ti përsërisë rëndom shqiptarëve se nuk ka shkop magjik për të përmbushur premtimet që vetë ju ka bërë, e këshillojmë me këtë rast, të kthejë vështrimin nga librat dhe njerëzit e librave, të çlirojë librat dhe libraritë nga taksat, sepse, vetëm tek njerëzit e librave, tek dituria e librave dhe tek libraritë, mund të gjejë shkopin magjik dhe të bëjë të mundur atë që tanimë na ngjan e pamundur.

 

Tiranë, 07. 02. 2017.

 

 

KUSH E VRAU MIKUN TIM ALTIN KOCAQI?

Nuk kam njohur tjetër njeri që ta donte jetën më shumë sesa Altini.

Këtë, dashurinë e tij të tejskajshme për jetën e vura re (disi me dyshim dhe habi), tek buzëqeshja e tij e madhe, e ngrohtë dhe e panjollë si ajo e një fëmije, herën e parë që u takuam. Prisja të përballesha me dikë krejt të ndryshëm, sepse takimit, i kishte paraprirë një debat i ashpër në FB, por në vend të vetullave të vrenjtura ai më buzëqeshi njësoj…

Njësoj sikur ishim miq të vjetër. Sikur të kishim kaluar së bashku fëmijërinë, adoleshencën dhe aventurat e rinisë dhe të tillë…

Miq të vjetër që çfarëdo që të ndodhë, nuk munden ti mbajnë mëri njëri tjetrit, do të ngeleshim deri në fund, sepse ajo që na bashkonte, ishte paanësisht më e madhe se çdo dasi e mundshme, besoj edhe më e madhe se vetë humbella e vdekjes.

Dashurinë për jetën Altini e shprehte kudo; në batutën e radhës që nuk harronte kurrë ta bënte, ndërsa të ftonte për kafe, në ngrohtësinë prej babai me të cilën të shtrëngonte dorën, në kënaqësinë me të cilën lëvizte lugën në filxhanin e kafes kur rrëfente për të birin, për bashkëshorten, për shijen e ushqimit që kishte ngrënë në mëngjes, baltën që i kishte ndotur këpucët apo rrebeshin që i kishte njomur shpinën ndërsa kalëronte motorin e tij të vogël.

Por…

Ishte diçka tjetër ajo që Altini e donte më shumë se jetën dhe…

Kjo diçka tjetër ishte ATDHEU!

Dashuria për kombin të cilit i përkiste i kishte ngarkuar Altinit një mëkat të madh mbi shpinë.

Mëkatin e quajtur patriotizëm.

Nuk e kam fjalën këtu për atë mori individësh që bëhen patriotë vetëm kur luan kombëtarja e futbollit, për bankierë e financierë, horra e morra, që e përdorin patriotizmin vetëm për të mbledhur pasuri, duke mballosur reklamat e tyre me shqiponjën, flamurin apo simbole të tjera kombëtare. As për politikanët e radhës që papritur e pa kujtuar veshin maskën e patriotit, për të fshehur skandalet apo për të mbledhur vota.

JO!

Altini nuk ishte një patriot i kësisoj!

Altini ishte një patriot i vërtetë!

Një nga ata që i japin atdheut gjithçka kanë, pa i kërkuar asgjë në këmbim, dhe madje, pa i shkuar aspak në mëndje që për dashurinë e tyre duhet të marrin diçka në këmbim. Një dashuri pa kushte, e panjollë, njësoj si buzëqeshja e Altinit.

Këtij mëkati të parë, tek Altini, i shtohej një mëkat i dytë…

Altini ishte një patriot intelektual…

Kur shkruaj intelektual, nuk e kam fjalën për doktoro-akademikët shterpë të universiteteve kioska dhe as për ata të ekraneve TV, që me shumë gjasa, kanë të paktën 30 vjet që nuk kanë lexuar një libër, e ndoshta, nuk dinë të lexojnë në gjuhën shqipe më shumë sesa një mesazh telefonik, por për një intelektual të vërtet, një intelektual i cili për nga hapësira e dijeve që zotëronte, do të nderonte çdo universitet evropian.

Në vitin 2009, Altini boton “Shqipja Pellazge”.

Në vitin 2013, “Dokumente historike – gjuhësore” (vendi i shqipes ndër gjuhët evropiane).

Në vitin 2015 – 2016, përkthen dhe përgatit botimin në shqip të veprave; “Studimet Shqiptare” dhe “Mbi gjuhën shqipe” të shkruara nga albanologët Panajot Kupitori dhe Franz Bop.

Por…

Bota e doktoro-akademikëve shterpë të universiteteve kioska shqiptare, vendosën ta vrasin Altinin me thikat e përbuzjes dhe të heshtjes.

Të njëjtat armë përdorën edhe ekranet e TV që tërbohen nga ngazëllimi, kur është fjala për të reklamuar librat mediokër të politikanëve mediokër, gazetarëve mediokër apo dashnoreve të tyre.

Me tehun e ftohtë të thikave të përbuzjes dhe përçmimit, Altini u përball edhe kur paraqitej në zyrat e institucioneve e të ashtuquajturit shtet shqiptar për të paraqitur projekte për mbrojtjen dhe hulumtimin e kulturës, gjuhës dhe historisë së kombit tonë.

“Të financojmë një libër ku rrëfehet historia e një heroi shqiptar të panjohur? Të financojmë për ngritjen e një qendre të kulturës shqiptare në Rekë, Tetovë apo Ulqin? Një dokumentar për historinë e lashtë të Epirit? Mbi arvanitasit jo e jo… Ç’marrëzi janë këto? Ne kemi pare për koncerte çingijesh, për libra me vrima e vrimashë, për bunker art dhe art bunkerësh, por… JO! Qoftë larg… Për kësisoj mynxyrash me atdhe dhe histori që ti nxjerr nga goja, ne, shteti shqiptar, nuk jep financime!”

Disa herë e shoqërova Altinin (të cilit, e pamundura që ndoshta një ditë, në zyrat e shtetit shqiptar, do të gjente dikë që ta donte Shqipërinë, i ngjante e mundur) në kësisoj pelegrinazhesh nëpër zyrat e shtetit shqiptar, por pastaj, me gjithë aftësinë e tij për të më nxitur të qeshurën ndërsa më kujtonte vështrimin e sekretarucëve të sekretarëve ministrorë që na shihnin të habitur sikur të ishim marsianë, teksa i rreshtonim listën e gjatë të të mirave, që do të sillnin për kombin përmbushja e projekteve të paraqitura, e braktisa.

Institucionet e shtetit Shqiptar…

Ministrira të ç’kulturës dhe të ç’arsimit…

Hëë!

Nuk mundem të harroj atë zyrtarucin e kollarisur të njërës prej këtyre ministrive që e pyeti Altinin, se kush ishte e nga vinte dhe, ndërsa nuk i bën aspak përshtypje titujt e librave të shkruar nga Altini, merr një pamje të habitur kur ky i rrëfeu se, për shumë vite, kishte qenë emigrant në Greqi.

“Përse u ktheve në Shqipëri, kur mund të merrje shtetësinë greke?” e pyet zyrtaruci.

Edhe pse aq e pakuptueshme dhe absurde për zyrtarucin e shtetit shqiptar (shqiptar?), Altini e kishte përbuzur shtetësinë greke sepse, marrëzisht, ndjehej shqiptar, ndjente se i kishte borxhe kombit që e kishte lindur.

Nëse do ti shiste trupin dhe shpirtin shtetit grek, pa dyshim që do të ishte pasuruar.

Por…

Altini nuk pranoi ti shiste trupin dhe shpirtin një shteti që nuk ishte ai i kombit të tij dhe u kthye në Shqipëri.

Ahh!

Në Shqipërinë e tij, tuaj, timen, ku patriotizmi është mëkat dhe krim!

Kur horrllëku është nder dhe lavdi!

Institucionet e kulturës të çdo shteti tjetër të botës do ta kishin për nder ta kishin Altinin pjesë të administratës së tyre, kurse në Shqipëri, Altini ishte i papunë…

Thikat nguleshin e nguleshin por dashurinë për atdheun, buzëqeshjen dhe punën e pa ndalur të Altinit për kombin, nuk mundën ta vrisnin.

Në çdo vend të botës, Altini do të nderohej dhe vlerësohej si intelektual, kurse në Shqipëri, shikohej me përbuzjen dhe mospërfilljen me të cilën shihet dikush që nuk është i aftë të gjejë një punë…

Punë?

Mijëra e mijëra orë të harxhuara mbi faqet e librave të shkruar, mijëra të tjera të harxhuara në rrjetet sociale sepse, siç thoshte Altini, të rinjtë kanë nevojë të mësojnë të vërtetën.

Po këto çfarë ishin?

Nuk ishin punë?

E pra..

Ato mijëra orë, të shndërruara në tre libra dhe dhjetëra shkrime të botuara në rrjetet sociale, ishin një punë kolosale për kulturën e kombit shqiptar!

Gjithçka në shkëmbim të asgjëje…

Hiç!

Por ai buzëqeshte dhe nuk reshte së dashuri kombin sepse e dinte që, dashuria e vërtetë, ajo e pastra, e panjolla si buzëqeshja e tij, është të duash, të përpiqesh, të sakrifikohesh pa kërkuar dhe pa shpresuar asgjë në këmbim dhe, thikat, të dukshme e të padukshme nuk pushonin së nguluri në trupin e tij…

Të jesh intelektual në Shqipëri (e përsëris, nuk e kam fjalën për intelektualët shterpë të universiteteve kioska etj, etj,) është një mëkat i rëndë.

Të jesh patriot në Shqipëri është një mëkat po kaq i rëndë dhe i dënueshëm sa i pari.

Të jesh edhe intelektual edhe patriot, në Shqipëri është një mëkat vrastar.

Vrasja e çdo intelektuali patriot shqiptar është shoqëruar nga një arsye apo vrasës ordiner.

Dhaskal Todri o vra aksidentalisht nga kaçakët që vidhnin udhëve.

Naum Veqilharxhit ia merr jetën një sëmundje e panjohur, nga e cila nuk kishte vuajtur kurrë.

Sëmundje të ngjashme, të papritura dhe ordinere, i morën jetën edhe Anastas Kulluriotit, Panajot Kupitorit, Aristidh Kolës.

Pandeli Sotiri hidhet nga kati i tretë i shtëpisë…

Ohhh!

Lista deri tek Altini është e gjatë!

Thika ordinere që kërkoi të rrëmbente jetën e Altinit, të papunit Altin, autorit të tre librave me fragmentet e vjedhura nga të cilat doktoro – akademikët shterpë të universiteteve kioska do të nxitojnë të mbrojnë doktoraturat e ardhshme, nuk ishte ajo e fundit, sepse…

Të fundit i mori në spitalet kasaphana të shtetit shqiptar (shqiptar?), shtet shqiptar (shqiptar?) që për Altinin nuk kishte lekë ta dërgonte të kurohej jashtë shtetit sepse…

Altini nuk ishte as horr dhe as politikan.

Altini ishte një intelektual patriot, i papunë deri në vdekje…

Ashtu si të gjithë intelektualët patriot shqiptarë.

Do të ishte qesharake ti bëja thirrje prokurorisë që të niste hetimet mbi vdekjen e Altinit.

Madje…

Nuk ju bëj thirrje as shqiptarëve që të heqin dorë sa nuk është vonë nga adhurimi i horrave dhe shushunjave që po i thithin gjakun dhe shpirtin kombit tonë.

Altini e di…

Unë nuk i besoj thirrjeve publike dhe as peticioneve por, në këmbim, i jap fjalën Altinit që nuk do të heq dorë nga rruga të cilën, edhe pse për pak kohë, kryem së bashku.

Mirupafshim miku im i mirë!

Mirupafshim në tokën e heronjve të kombit shqiptar!

Shpresoj që ZOTI I SHQIPTARËVE të më dhurojë, së bashku me buzëqeshjen, edhe forcën tënde për të punuar pa u ndalur, guxuar dhe shpresuar që ditë më të mira do të vijnë për kombin tonë.

 

Tiranë, 03.02.2017.

SHQIPTARËT MIDIS SHILËS DHE KARIBDËS…

Gjatë udhëtimit drejt atdheut të humbur, shumë e shumë herë, Uliksi ishte munduar nga pesha e mëdyshjeve rraskapitëse dhe shpirt vrasëse…

Çfarë vendimi duhej të merrte?

Kë rrugë duhej të zgjidhte?

Të shkonte këndej apo andej?

Kishte marrë vendimin e duhur apo ndoshta…

Ishte gabuar?

Por, më shumë se çdo herë tjetër, mëdyshjet për vendimin që duhet të merrte e kishin munduar kur u gjend përballë Shilës dhe Karibdës…

Dy brigje.

Dy shkrepa nga re të zeza mbuluar.

Në mes, të frikësuara dhe pa zhurmë, rridhnin valët e detit.

Në njërin breg vigjilonte Shila, një qenie e përçudnuar që kishte 12 këmbë dhe gjashtë koka. Çdonjëra prej kokave kishte një gojë dhe çdo gojë, tre rreshta dhëmbësh të gjatë e të mprehtë si të ishin shpata.

Në bregun tjetër vërtitej e uritur Karibda që me gojën e hapur si një vorbull e zezë, së bashku me ujin e detit, gëlltiste çdo anije që pranë i lundronte.

“Nga të shkoj? Nga të iki? Kë të zgjedh? Dhëmbët e Shilës apo barkun e Karibdës?”, pyeste e stërpyeste veten Uliksi.

Ndryshe nga Uliksi, shqiptarët që qëndrojnë përballë ekraneve të stacioneve TV, që askush nuk e di, se përse quhen kombëtare, nuk kanë mundësi zgjedhjeje.

Në njërin shfaqet seriali televiziv turk “Ertrugul”…

Historia imagjinare e babait të babait të kombit turk të quajtur Ertrugul. Përveç faktit që, siç përmendëm, kemi të bëjmë me një histori imagjinare, pra, me shkrimin e një historie të paqenë, gjithçka në këtë serial TV është e përkryer. Skenari është i shkruar mjeshtërisht dhe i kontrolluar me kujdes nga tre historianë akademikë. Veshjet e personazheve, karakteret, edukata që ata përçojnë, i krijojnë shikuesit përshtypjen se, fiset nomade turke të shekullit XIII, ishin aq të qytetëruar sa do t’ia kishte zilinë edhe një evropian i shekullit XXI. Një shoqëri njerëzish fisnikë që vetë zoti i kishte përzgjedhur për të sunduar mbi të gjithë popujt e botës dhe për të krijuar një perandori.

Për fatin tonë të keq, një prej këtyre popujve që do të sundoheshin nga pasardhësit e këtyre fiseve nomade turke (të përshkruar si fisnikë e të qytetëruar në serialin Ertrugul) që në shekullin e XIV do të hynin brenda kufijve aziatikë të Perandorisë Bizantine,  ishin edhe shqiptarët që akoma edhe sot, nuk po mundin të zhbëjnë nga trupi i kombit të tyre ligështinë morale dhe fizike (copëtimin politik të kombit shqiptar) që i la pas ky “qytetërim” i ardhur nga stepat e Azisë.

Nëse nuk e njeh historinë, atë të vërtetën të mbushur me male kufomash, gjak, përdhunime, shkatërrime, masakra të trupave dhe masakra të shpirtrave që finalizoheshin me masakra të diturisë dhe të kujtesës historike, është e pamundur që të mos i adhurosh heronjtë e serialit Ertrugul.

Edhe pse na dhemb shpirti dhe trupi nga plagët dhe varret që i shkaktoi kombit tonë pushtimi turk, nuk mundemi ta mohojmë që seriali TV i titulluar “Ertrugul” është tërheqës. Në të njëjtën kohë, nuk mundemi të fajësojmë skenaristët dhe regjisorët e këtij seriali, që për të nderuar atin e heroit të tyre kombëtar, kanë krijuar një histori të paqenë.

Po stacionet TV shqiptare dhe për më tepër ato që quhen kombëtare, çfarë bëjnë për të nderuar heroin e tyre kombëtar?

Ndryshe nga Ertruguli dhe fisi i Kaive, për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti dhe ndërmarrjen mbinjerëzore që kreu populli i tij, janë shkruar me dhjetëra libra, biografi dhe poema.

Pra…

Ndryshe nga autorët dhe prodhuesit e serialit turk “Ertrugul”, ata shqiptarë kanë në dispozicion një thesar të pafundëm historie të shkruar, theksoj të shkruar dhe jo imagjinare si në rastin e Ertrugulit.

Por …

Ndërkohë që kolegët e tyre turq rishkruajnë historinë apo më saktë, krijojnë histori e paqenë të një heroi fisnik në krye të një populli fisnik, prodhuesit dhe autorët e mediave kombëtare shqiptare, preferojnë të shpërfillin, përbuzin, përçudnojnë thesarin e kujtesës historike evropiane që rrëfen bëmat e Gjergj Kastriotit dhe popullit të tij, që gjunjëzoi për gjysmë shekulli perandorinë më të madhe të botës, dhe, i shërbejnë në pjatë popullit shqiptar një pseudo komedi të titulluar “Skënderbe” ku, paraardhësit e lavdishëm të shqiptarëve të sotëm, paraqiten si mbartës e të gjitha veseve të mundshme që ka prodhuar njerëzimi…

Midis Shilës dhe Karibdës, Uliksi zgjodhi Shilën.

Humbi shumë prej shokëve të tij më besnikë por shpëtoi anijen.

Po shqiptarët, a kanë mundësi të zgjedhin?

Kë të zgjedhin?

Çfarë të zgjedhin?

Të zgjedhin Ertrugulin trim, prijës i një populli fisnik dhe të “qytetëruar” që i afron televizioni kombëtar Klan?

Apo…

Të zgjedhin “Skënderbeun”; prijësin ikacak të një populli frikacak, pervers, budalla dhe imoral që i afron platforma TV Kombëtare Digitalb?

KËTO JANË MUNDËSITË E ZGJEDHJEVE QË I AFROJNË SHQIPTARËVE TV TONA TË QUAJTURA KOMBËTARE!

KOMBËTARE…?

 

Tiranë, 19. 01. 2017.

SPORTI, OLIMPIADAT, POLITIKA DHE… RRËFENJA E KRIJIMIT TË NJË KOMBI TË RI!

                     

Përpiquni të përfytyroni sikur shqiptarët e quajtur “lal” dhe ata të quajtur “lab”, së bashku me krahinat përkatëse ku jetojnë (Myzeqenë dhe Labërinë), të shkëputur nga Shqipëria për një arsye apo një tjetër, do të vendosnin të krijonin një shtet më vete, shtet të cilin, frymëzuar nga emrat e tyre krahinor (Lalë dhe Lab) por edhe për ti bërë qefin edhe Parisit, Brukselit dhe Madridit, do ta quanin OLALA dhe veten OLELEZ.

Parisi, Brukseli dhe Madridi, të kënaqur me emrin OLALA të shtetit dhe atë OLELE të “kombit të ri”, që aq shumë i ngjante thirrjes “OLE!” të spanjollëve dhe asaj “O La La!” të frëngjisht folësve, do ti dhuronin Olelezëve një flamur të ri fringo, të cilin, nga ajo ditë e tutje, Olelezët duhej ta valëvisnin mbi krye në vend të flamurit me shkabë të zezë që kishte përfaqësuar etërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.

Dhe ç’flamur pa…

Tjetër më të bukur nuk kishe ku të gjeje!

Ishte i kaltër si qielli. Në qendër, vizatuar  me ngjyrë të artë, shkëlqente pamja e hartës së trojeve ku jetonin lalët dhe labët, e cila,  ndriçohej nga drita e shtatë yjeve vezullues që ngjante sikur hidhnin valle mbi të.

Veç flamurit, fuqitë e mëdha i dhuruan Olelezëve edhe një kushtetutë të shkruar nga një grup ekspertësh evropianë, ku, në krye fare, me shkronja të mëdha, shkruhej se;

 

  1. Olelezëve u ndalohet në përjetësi të ribashkojnë vendin e tyre me Shqipërinë.
  2. Vrasja e një olelezi, dënohet nga ligji, po aq sa edhe vrasja e një qeni.

 

Përtej dyshimeve nëse, nenin e dytë të kushtetutës së tyre, ekspertët konstitucionalistë të Evropës e kishin shkruar të nxitur nga dashuria për kafshët apo nga mospërfillja për vlerën që kishte për ta jeta e një olelezi, olelezët me këngë e me valle, me olelera dhe tralalara, e shpallën ditën e ardhjes së kushtetutës nga Evropa, festë kombëtare.

Të pajisur kësisoj me flamur dhe kushtetutë, olelezët vendosën njëzëri që kishte ardhur koha ta përfaqësonin denjësisht kombin e tyre të ri në veprimtarit sportive ndërkombëtare,. sepse, në ato politike, siç ishte Lidhja e Kombeve, Evropa ja u kishte ndaluar hyrjen.

Deri kur?

Eh! Këtë Olelezët nuk e dinin!

“Ndoshta kurrë, ose ndoshta nesër. Varet nga sjellja juaj”, i ishte përgjigjur Evropa.

Kështu ndodhi që olelezët, edhe pse, të mosnjohur si komb nga Lidhja e Kombeve, krijuan një kombëtare futbolli dhe futbollistët “lal” dhe “lab” që deri në atë kohë luanin me Kombëtaren e Futbollit të asaj që kishte ngelur nga vendi i quajtur Shqipëri, shkuan të luanin me Kombëtaren e Futbollit të kombit të ri të olelezëve…

“Po më thoni të ndalem, sepse… Edhe imagjinata duhet të ketë një kufi! Sepse… Ajo që po tregoj nuk është një rrëfenjë imagjinare por një rrëfenjë absurde!”

Rrëfenjë absurde?

Si mund ta quani absurde ndërkohë kur, ekranet e TV tuaj, gëlojnë nga pamjet e sportistëve shqiptar nga krahina shqiptare e Kosovës, që druhen, kanë turp apo frikë, të shpalosin krahas flamurit të shtetit të Kosovës (qytetar të të cilit tashmë janë) edhe flamurin që tregon përkatësinë e tyre kombëtare?

Si mund të jetë e tillë kur faqet e mediave elektronike, gjëmojnë, dridhen dhe përloten, nga fjalimet e sportistëve (fjalime të cilat, nuk ngjajnë aspak si të dalë nga zemrat e panjolla të sportistëve por nga penat e ndyra me gjak e me llum të politikës) që ja kushtojnë medaljet olimpike “kombit të ri të Kosovës”, pa guxuar qoftë edhe një herë të vetme të përmendin fjalët, Shqipëri dhe shqiptarë?

Rrëfenja e Olelezëve nuk mund, nuk duhet t’ju ngjaj aspak absurde ndërsa shihni se si, ngadhënjimi olimpiko – mediatik i flamurit të “kombit të ri” kosovar mbi atë, flamurin e vjetër, flamurin me shkabë të zezë, flamurin e njomur dhe pluhurosur nga gjaku i dhjetëra qindra betejave që shqiptarët kanë kryer për ti mbijetuar zhdukjes, flamurit të heronjve që na e kanë lënë trashëgim të parët, flamurin pa të cilin sot nuk do të ekzistonim, flamurin e Skënderbeut, u pasua thuajse si të ishte pjesë e një programi të mirë përcaktuar, nga lajmet për futbollistët që braktisnin kombëtaren e futbollit të Shqipërisë për të shkuar tek ajo e Kosovës.

Shumëkush prej nesh, nuk dyshoj aspak, me zemër të pastër dhe shpirt të sinqertë, u nxitua ti mbronte sportistët që shpërfillën flamurin e vjetër të kombit tonë të vjetër, me arsyen se sporti nuk duhej ngatërruar me politikën, se sporti, nuk është politik!

Sporti nuk është politik!?

Nga leximi i Historisë, të vetmes dituri që mund të shërojë plagët (ekonomike, shoqërore dhe politike) që torturojnë shpirtin e kombit shqiptar, do të mësonim se, lindja e sportit konkurrues (ai ku fituesi nderohet me një çmim) është pjellë pikërisht e politikës. Zhvillimi i Olimpiadave antike (të quajtura më pas panhelene) zuri fill nga nevoja e përfaqësuesve të mbretërive dhe qytet – shteteve të Greqisë qendrore dhe jugore për të kryer takime politike gjatë të cilave do të nënshkruheshin aleanca ushtarake, diplomatike, tregtare, vendosej fillimi i një lufte apo fundi i një tjetre. Për këtë arsye, disa shekuj më pas nga data hipotetike e Olimpiadës I (776 p.e.s), pikërisht kjo datë, u konsiderua nga historianët si viti 1 i historisë së kombit të ri të quajtur Helen.

Një komb i ri që zë fill me një Olimpiadë?

Mos ndoshta historia po përsëritet?

Apo…

Ndoshta dikush po investon që historia të përsëritet?

Kush?

E kush tjetër veç politikës që kërkon me ngulm lindjen e një kombi të ri të quajtur kosovar (me një histori të re dhe një flamur të ri), njësoj ashtu si politikanët e mbretërive dhe qytet shteteve të Greqisë qendrore dhe jugore, të fshehur pas datës hipotetike të olimpiadës I, shpallën krijimin e kombit të ri që quajtur helen?

Por…

Tamam njësoj nuk është, sepse, për fatin e keq të shqiptarëve, ky “kombi i ri” që politika ngjan se po kërkon të krijoj e fshehur pas emrit të olimpiadës dhe fitoreve olimpike, ngadhënjimit mediatik të flamurit të “kombit kosovar” të shoqëruar nga harresa dhe shpërfillja për flamurin e kombit shqiptar, nuk është pjellë e bashkimit (si në rastin e përpjekjeve për krijimin e kombit helen!) por fryt i përçarjes, i copëtimit të kombit shqiptar.

Oh!

Le ti shmangemi këtyre hipotezave absurde dhe të vazhdojmë me mësimet e historisë.

Fuqitë e mëdha evropiane, mbasi krijuan në vitin 1832 shtetin e quajtur Greqi, shkruan për të një kushtetutë dhe përzgjodhën një mbret; thuajse gjysmë shekulli më pas, organizuan Olimpiadën I moderne për ti prezantuar botës krijimin, apo më saktë rikrijimin e kombit të ri helen, (për më shumë sesi u krijua ky komb i ri mund të lexoni “Evropa dhe profecia e Johan Georg Von Hahn”).

Nga 14 vendet  që morën pjesë në Olimpiadën I, Greqia, kombi i ri helen, fitoi numrin më të madh të medaljeve, plot 46.

Si ishte e mundur që një vend si Greqia, më i prapambeturi dhe më i varfëri ndër të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse, të fitonte 46 medalje?

Për të mundësuar triumfet olimpike të Greqisë, organizatorët e Olimpiadës, krijuan një ligj tejet të veçantë…

Në Olimpiadën e parë, ju ndalua pjesëmarrja të gjithë atletëve profesionistë dhe ashtu siç kishin parashikuar organizatorët, Greqia triumfoi. Flamuri i ri i kombit të ri helen, u bë i njohur në mbarë botën. Gazetat e mbarë botës së qytetëruar shkruan për ringjalljen e kombit të Akilit, Agamenonit, Herkulit, Maratonomakut edhe pse, ajo, e vërteta ishte disi e ndryshme…

Mes përfaqësuesve të kombit të ri helen që fituan një medalje në Olimpiadën I, ishte edhe fituesi i garës së maratonës, Spiridhon Louisi. Këto ditë olimpiadash, famujsh që ngrihen dhe famujsh që shpërfillen, “harrohen” të mbarten mbi krahët e fituesve, mediat shqiptare do të shpallnin zbulimin e radhës se; Spiridon Luisi ishte arvanitas… Pra shqiptar… Pra, që shqiptarët kishin fituar medalje edhe në Olimpiadën I!

E vërteta e hidhur është se, Spiridon Luisi ishte…

Analfabet!

Nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte.

Gjithçka që historia kujton nga biografia e Spiridhonit është se, kishte punuar si mbartës uji, ishte rekrutuar nga ushtria greke dhe pastaj kishte ngritur flamurin e kombit të ri helen në Olimpiadën I. Mendjes së tij i ishte ndaluar, mohuar të mësonte historinë e familjes, gjuhës, kombit që i përkiste dhe, si i tillë, Spiridonit i ngelej të ishte vetëm helen.

Pak vite mbas triumfit olimpik të helenit kujtesvrarë Spiridhon Luisit, ushtria e shtetit grek ku bënin pjesë shumë arvanitas (që triumfet e Olimpiadës I i kishte dhënë një arsye më shumë, të pranonin dhe ndjeheshin krenarë për emrin helen), pushtoi Shqipërinë e Jugut duke plaçkitur, dhunuar dhe vrarë të gjithë ata shqiptarë që nuk pranonin ta quanin veten helenë. Përballë këtyre masakrave, opinioni publik ndërkombëtar akoma i hipnotizuar nga rrëfenjat e Olimpiadës I, jo vetëm që nuk bëri asgjë për ti ndalur, por madje, edhe e miratoi kryerjen e tyre. Greqia e triumfuesve të Olimpiadës I, e meritonte të bëhej e madhe!

Ironia e fatit do të bënte, që shumë vite të tjera më pas,  kujtesëvrari dhe i pagoji Spiridhon, simbol i Greqisë së re, i triumfeve Olimpike të flamurit të kombit të ri helen, gjatë ceremonisë së hapjes së Olimpiadës së XI (1936) do ti dhuronte Adolf Hitlerit një degë ulliri, simbolin e paqes dhe mirësisë. Me këtë degë ulliri në duar, Adolf Hitleri, shpalli para botës, lindjen e kombit të ri gjerman!

Bota e mahnitur nga 89 medaljet e fituara nga Gjermania, do ta adhuronte Gjermaninë e re naziste dhe flamurin e saj të ri me kryq të thyer, të dyja të krijuara nga Adolf Hitleri.

Por, shumë shpejt, adhurimi për “kombin e ri” gjerman dhe flamurin e ri me kryq të thyer, i mbarsur nga medaljet olimpike që fitoi Gjermani Naziste, do të shndërroheshin në lot dhe gjak për botën dhe për Greqinë e Spiridhonit.

Gjithkush që ka përjetuar apo studiuar historinë e të quajturës “luftë e ftohtë” midis Bashkimit Sovjetik dhe Sh. B. A (Traktatit të Varshavës dhe Natos), e di fare mirë se kjo luftë, më shumë sesa në Vietnam, Kore dhe Kubë, u pasqyrua egërsisht në arenat e lojërave Olimpike.

Olimpiada XXII (Moskë 1980) u bojkotua nga Sh.B.A dhe 64 vende të tjera, në shenjë proteste për pushtimin e Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, por kjo, nuk e ndali zhvillimin e Olimpiadës, në të kundërt, vendimi i Presidentit U.S.A, Xhimi Karter, që vendosi që atletët amerikanë të bojkotonin Olimpiadën, u konsiderua nga qytetarët amerikanë si shenjë frike dhe dezertimi përballë B.S në fushëbetejën e fitoreve olimpike.

Përfundimi?

Xhimi Karter humbet zgjedhjet për president të vitit 1980…

Shumica dërrmuese e sporteve olimpike, për mungesë të simpatizantëve që i ndjekin këto sporte, mbijetojnë në formën e një aktiviteti sportiv profesionist dhe jo të një loje argëtuese të papaguar, vetëm falë financimeve shtetërore, pra, vetëm falë politikës së shteteve për të shfaqur përpara mbarë botës ekzistencën dhe forcën e tyre ekonomike, kulturore dhe politike. Edhe pse Olimpiadat antike ishin pjellë e politikës dhe u përdorën për përmbushjen e një qëllimi politik (krijimin e kombit helen) në to, atletët nuk përfaqësonin shtetet, qytetarë të të cilëve ishin, por vetëm vetveten. Lavdia apo disfata ishte, thjesht dhe vetëm individuale dhe jo e shtetit qytetar të të cilit ishin. Në të kundërt, në Olimpiadat moderne, fitoret nuk janë të atletëve por të flamujve që këta ngrenë me fitoret e tyre.

Lista e dëshmive që tregojnë sesi sporti (dhe në veçanti Olimpiadat) është përdorur nga politika si mjet për të përmbushur qëllimet e saj, është e gjatë. Për fat të keq, skenat e triumfeve olimpike dhe post olimpike të flamurit të shtetit të Kosovës, të shoqëruara nga shpërfillja apo harresa e flamurit kombëtar dhe lajmet për largimin e disa lojtarëve të kombëtares së futbollit të Shqipërisë për të shkuar tek ajo e Kosovës, tregojnë që tashmë, politika që kërkon me ngulm krijimin e një kombi të ri kosovar, po përpiqet dhe po investon të përdorë për përmbushjen e këtij qëllimi edhe sportistët shqiptarë nga Kosova. Është e natyrshme të dyshosh se edhe pranimi i shtetit të Kosovës në organizatat sportive ndërkombëtare ndërkohë që i mohohet njohja në organizatat politike si OKB etj, është bërë në këmbim të premtimit që sportistët që do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në veprimtaritë sportive ndërkombëtare, do të heshtin, harrojnë, shpërfillin, mohojnë, përkatësinë e tyre kombëtare.

Vallë a do të pranojnë në të ardhmen sportistët shqiptarë nga Kosova të bëhen pjesë e këtij kompromisi që i detyron të harrojnë, mohojnë dhe të shpërfillin flamurin që tregon përkatësinë e tyre kombëtare?

Të harrojnë, mohojnë dhe shpërfillin gjuhën dhe historinë e kombit që i ka lindur?

Përtej përgjigjeve të këtyre pyetje, sportistët shqiptarë nga Kosova kanë një fat të madh…

Ndryshe nga Spiridhon Luisi, ata mund të zgjedhin!

Të pohojnë qartë dhe prerë…

Unë jam Shqiptar dhe ky, flamuri me shkabën e zezë dy krenare, është flamuri i kombit të cilit i përkas!

Në të kundërt, të shndërruar në individë pa të shkuar e pa të ardhme, pa komb e pa atdhe, fitoret, triumfet e tyre olimpike do të harrohen sikur të mos kishin ndodhur kurrë.

 

Tiranë, 19. 08. 2016.

 

 

 

DUHET TË KRENOHEMI ME SHËN ALBANIN?

 

Një mik të cilin e nderoj dhe e respektoj, më bëri sot një pyetje të bezdisshme. Një pyetje nga ato që mund ti përgjigjesh në dy mënyra. Të thuash përgjigjen që ti e di, se pyetësit i pëlqen të dëgjoj, ose, në të kundërt, të përballesh me rrezikun e keqkuptimit sepse, për të mos u keqkuptuar, do të duhet të shtjellosh fijet e një përgjigjeje të gjatë, të gjatë sa një libër që ka të paktën njëqind faqe dhe, për fatin tim të keq, miku im edhe pse atdhedashës…

Nuk i pëlqen të lexoj!

Cila ishte pyetja sepse…

Edhe juve, njësoj si miku im, nuk ju pëlqen të lexoni?

Mos u mërzitni, tash do t’iu a tregoj…

 

***

 

– Më thuaj, a është Shën Albani, shqiptar? – më pyeti miku.

– Për kë Alban e ke fjalën, sepse shenjtor me emrin Alban ka të paktën tre. Dy nga Anglia dhe një nga Gjermania.

– Fillo prej atij nga Anglia, – më urdhëroi miku.

– Të parit apo të dytit?

– Të parit! – ma ktheu miku.

– Ti ndoshta po më pyet nëse Shën Albani ishte Ilir? – e pyeta i pushtuar nga ndjesia e keqe se miku po më shtynte drejt një gracke.

– Ilir, shqiptar, njësoj është, – ma ktheu miku shpërfillës për vërejtjen time.

– Si të them, edhe aq njësoj nuk është, – guxova ta kundërshtoja.

– Pse s’qenka njësoj, – mu përgjigj miku duke u vrenjtur në fytyrë i pakënaqur nga kundërshtimi im i ndrojtur.

– Po ja, ti je i biri i Xhemalit dhe, Xhemali ishte i biri i…

– Adilit! – plotësoi i sigurt miku.

– Xhemali ikte në punë me biçikletë kurse ti, ke makinë. Xhemali ishte i gjatë kurse ti je i shkurtër. Xhemali ishte biond kurse ti tullac. Xhemali kishte gjashtë kalamaj, kurse ti…

– Mjaft! – ma preu fjalën miku dhe shtoi me inat, – Nuk kam nevojë të ma tregosh ti, sesi ishte im atë.

– Pra… Edhe pse je i biri Xhemalit, ti nuk je si Xhemali. Arsye kjo, për të cilën, ke edhe një emër të ndryshëm nga yt atë. Përfytyro tani sesa ndryshon ti, nga Adili, gjyshi yt. Keni jetuar në kohë të ndryshme, keni respektuar ligje dhe besime të ndryshme, jeni ushqyer ndryshe nga njëri tjetri. Ty të pëlqen uiski dhe redbulli, kurse Adilit i pëlqente rakia dhe uji i ftohtë.

– E çlidhje ka e tëra kjo me Shën Albanin?

– Asgjë! Doja thjesht të shpjegoja se përse, të qenit shqiptar dhe të qenit ilir, nuk është e njëjta gjë. Shqiptarët janë pasardhës të arbërve dhe arbrit pasardhës të ilirëve. Shqiptarët kanë trashëguar shumë nga gjuha dhe traditat e ilirëve dhe të arbërve por, nuk janë as ilirë dhe as arbër, sepse një pjesë akoma më të madhe të këtij thesari, gjuhës dhe traditave, e kanë braktisur apo humbur rrugës.

– Ok! A është Shën Albani, Ilir?

– Shën Albani ishte legjionar në territorin e Anglinë së sotme që asaj kohe, quhej Britani apo toka e britëve, kurse, vetë ishulli i Britanisë, quhej Albani, nga ku, rrjedh edhe emri Shën Alban, pra, shenjtori i parë i krishterë i Albanisë. A ishte legjionari që më pas do të shpallej nga kisha shenjtor, me origjinë Ilire? Edhe mundet… Ama, po aq shumë, mund të ishte kelt, gal, gjerman, skithas apo italik. Pse jo, edhe nubian apo egjiptian. Romakët e kishin zakon, që në vendet e pushtuara ti shpërndanin toka legjionarëve që dilnin në pension, të ngrinin koloni siç quanin ata. Të lindurit në Iliri, Britani apo Gali, nuk do të thoshte aspak që ishe një britan, gal apo ilir.

– Po atëherë, përse Britania quhej Albani? Përse Shqipëria quhet njësoj? – më pyeti miku dhe pastaj i ngazëllyer, u përgjigj po vet, – Sepse ja kemi vënë emrin neve, Albanët!

– Apo jo? – shtoi pastaj duke vërejtur mëdyshjen time.

– Ilirët apo Pellazgët, por jo shqiptarët – e korrigjova.

– Ilirët apo Pellazgët, – pohoi ai i pakënaqur.

– Një lidhje e ka por …

– Ma shpjego… – më urdhëroi prerazi miku.

– Kam shkruar një libër mbi këtë temë,– ia ktheva unë.

– Ohu, libër! Ma thuaj me dy fjalë!

– Nëse do të mund të ta shpjegoja me dy fjalë, nuk do të më duhej të shfletoja njëqind libra për të shkruar në fund, mbas shtatë vjetësh, një të vetëm me 700 faqe, që, për besë, e di që nuk mjaftojnë…

I frikësuar nga ideja e leximit të një libri (zoti i ruajt shqiptarët nga librat), miku im ju rikthye temës së Shën Albanit.

– Ah, sikur dikush të vërtetonte se Shën Albani ishte shqiptar, – rënkoi plot afsh.

– Ilir, – ndërhyra unë.

– Njësoj është, – ma ktheu shpërfillës me vështrimin e ngurosur diku larg si të ëndërronte diçka të përtejme që mendja ime ishte e kotë të përpiqej ta cikte.

– Përse? Përse mendon që është kaq e rëndësishme të qenit ilir i shën Albanit? – e pyeta plot kureshtje.

– Për tu krenuar që një shqiptar përhapi krishterimin në Britani. Mendo pak, gjithë këta njerëz të mëdhenj… Kostandini dhe gjithë ata të tjerët. Perandorët ilirë të Romës. Ata të Bizantit. Vezirët dhe pashallarët shqiptarë të Perandorisë Turke. A nuk duhet të jemi krenarë me ta?

“Ja gracka së cilës i druhesha”, mendova, dhe pasi u mendova edhe ca, vendosa të fshihesha pas fjalëve me të cilat Sami Frashri, një nga etërit e kombit tonë, këshillonte Shqiptarët se me kë duhet të krenoheshin…

 

Shqiptarёt, gjatë gjithë historisë së tyre, kanё dëshmuar qё janё tё zotё edhe me kordhё edhe me pendё, edhe me trimёri edhe me mёnd e dituri. Shqipёria ka nxjerё shumё njerёz tё shquar e me nam tё madhё po asnjё prej tyre nuk ka punuar pёr Shqipёri, e cila ka mbetur gjithnjё e varfёr dhe e padёgjuar, e me djemtё e saj janё mburrur kombe dhe vende tё tjera. Ështё ndodhur njё shqiptar i zoti tё ngjalli Egjiptin e tё bёjё prej kёtij vendi tё humbur e tё prishur si ishte, njё vend tё pasur e tё ndritur si ёshtё sot, por kurrё nuk ёshtё gjendur dikush ti bёjё Shqipёrisё njё tё mirё tё kёtillё. Prandaj themi me hidhёrim nё zemёr qё; shqiptarёt kanё punuar gjithmonё pёr botёn dhe kurrё pёr vete…

Vetёm njё Skёnderbe ka punuar nё kohrat e shkuara pёr Shqipërinё dhe vetёm ay ёshtё vёrtet mburrje pёr Shqipёrinё

 

Të krenohemi dhe të shëmbëllehemi vetëm me ata që kanë punuar dhe janë sakrifikuar për kombin e tyre, këshillon Sami Frashëri dhe, shembuj heronjsh të tillë kemi plotë edhe në historinë e Ilirëve…

Të mirënjohur si mbreti Bardhyl, Kliti, Glauku, Agroni, Teuta, dy Batot e kryengritjeve ilire dhe shumë e shumë heronj të tjerë, emrat dhe historitë e të cilëve do ti njihnim sikur, ah, sikur të mos merreshim me “lavditë” e atyre që “punuan për të tjerë” dhe të zbulonim e lexonim, të nxirrnim mësime nga historia e popullit tonë.

Por…

Për ta bërë këtë, fatkeqësisht, “historitë” me “dy fjalë” të Fb (siç i pëlqejnë mikut tim), jo vetëm që nuk mjaftojnë, por, janë edhe të dëmshme.

Përse?

Po të shpjegoja se përse, ky shkrim do të zgjatej shumë dhe ju…

Hmmm….

Nuk do ta lexonit!

 

Tiranë. 22. 06. 2016

 

TREGTAR FLAMUJSH

 

 

Rrëfenja e Ernest Koliqit zë fill qetësisht. Monotone dhe e ngadaltë. Njësoj si ai tak–taku i orës së vonuar të qyteteve shqiptare, të cilat, në fillimin e shekullit të XX, nga moçali i ligështisë aziatike, u gjenden befas në zemër të Evropës.

Shkrimtari i ri Hilush Vilza që sapo ishte kthyer në atdhe mbasi kishte mbaruar studimet diku në Evropë, po shëtiste udhëve të qytetit ku kishte lindur dhe ishte rritur, Shkodrës…

Çdo ditë, kur gjatë ecejakeve nëpër rrugët e qytetit i qëllonte ti afrohej “dugajës” (shitores) të Gaspër Tragaçit, i pa dëshirë për tu takuar me tregtarin, Hilushi kujdesej të kthente udhë. Nuk kishte ndonjë shkak të logjikshëm, borxhe apo hasmëri. Përkundrazi, Gaspëri ishte mik i vjetër i shtëpisë së tij. Atëherë, përse…

Cila të ishte arsyeja e asaj ndjesie të errët dhe neverie të pashpjegueshme që e shtynte ti qëndronte larg Gaspër Tragaçit?

Mos ndoshta sepse tregtari, ndryshe nga ai, ja kishte kushtuar jetën grumbullimit të parasë?

Kultura, shkolla, aq më tepër shkrimet dhe poezitë, për tregtarin nuk kishin asnjë vlerë nëse nuk sillnin para dhe, Hilushi e dinte…

Në Shqipërinë e tij, ndryshe nga profesioni i tregtarit, arti i të shkruarit nuk i sillte para atij që e ushtronte por, veç punë, punë, “punë në këmbim të asgjësë”, siç do të thoshte duke qeshur me ironi Gaspër tregtari.

“Tani që e bëmë Shqipërinë, duhet të bëjmë shqiptarët”, përsëriste deri në mërzi bashkëqytetasi i tyre At Gjergj Fishta dhe, Hilushi, po aq mirë e dinte se, udha e vetme për të “bërë” shqiptarët, për të mbarsur në shpirtrat e tyre ndjesinë e të qenit pjesë e një kombi, dashurinë dhe respektin për historinë dhe kulturën e popullit që i kishte lindur, ishte shkrimi i historisë së tyre të mohuar dhe të harruar, lëvrimi i gjuhës shqipe, që edhe pse e gjallë, mbas pesë shekujsh dhune, përbuzjeje dhe përndjekje të ushtruar nga shteti kozmopolit otoman, tanimë rënkonte vuajtjet e vdekjes. Dhe…

Për ti dhënë frymë dhe ringjallur gjuhën shqipe, duheshin shkruar poezi, romane, drama, komedi, duhej shkruar, shkruar, shkruar pa pushim.

Hë…

Mjerisht, pikërisht ai, arti i të shkruarit, ilaçi i vetëm për të ringjallur gjuhën dhe kombin, në Shqipërinë e Gaspër Tragaçëve, në Shqipërinë e dallkaukëve që ëndërronin akoma mustaqet e baba sulltanit dhe urrenin deri në deje këdo që kishte luftuar me pushkë dhe penë për Shqipërinë e lirë, në Shqipërinë e levandinëve të rinj (siç i quante Konica) që, mbasi livandoseshin dhe kollariseshin allaevropiançe, flisnin shatra patra, një fjalë shqip, dy frëngjisht dhe një italisht, duke ëndërruar që pushtetin e baba sulltanit ta këmbenin me atë të ndonjë baba sulltani nga Roma, Parisi apo Brukseli, vraponin ti lëpiheshin konsujve të huaj se mos kushedi, ndonjëri prej tyre, i prishej mendja dhe i blinte, që të shisnin Shqipërinë…

Në Shqipërinë e Tragaçëve, Dallkaukëve dhe Levandinëve, arti i të shkruarit, ilaçi për të shpëtuar kombin përbuzej nga të gjithë. Askush nuk e donte. Askush nuk paguante qoftë dhe një kothere bukë në këmbim të tij dhe, ata…

Grusht mjeranësh që e përgatisnin këtë ilaç, që shkruanin e shkruanin për të shpëtuar atë pak që kishte ngelur gjallë nga gjuha dhe historia e Shqipërisë, për të mbajtur në jetë qoftë edhe një ditë më shumë zemrën dhe shpirtin e kombit, lëngonin në përbuzje dhe varfëri njësoj si kombi dhe populli që kërkonin të shpëtonin.

Ja se përse Hilushi e mbante larg Gaspër Tragaçin dhe ndjente neveri nga prania e tij.

Por atë ditë nuk mundi ti shmangej. Gaspëri e kapi prej krahu dhe e shtyu brenda në shitore. I dha kafe dhe cigare. I rrahu shpatullat dhe e pyeti gjerë e gjatë për familjen. Dhe në fund…

Gaspër Tragaçi e pyeti nëse vazhdonte të shkruante dhe ndërsa Hilushi po mëdyshej ti përgjigjej, shtoi, “Më kanë thënë se din me qitë edhe vjersha”.

“Po ky, a mos po don me u tall me mua? Apo… Në emër të një urtësie kallpe, kujton se do t’më mësoj sesi ta rregulloj jetën dhe të gjej atë çfarë, sipas tij, është lumturia, duke më këshilluar të mos merrem më, me punë boshe nga të cilat nuk përfitoj asgjë. Me shkrime e vjersha që s’qesin asnjë dobi. E teproi, kësaj here s’po e la pa përgjigje!”, mendoi rrëmbimthi Hilushi.

Por përgjigja nuk i doli nga goja. Ndjehej i pafuqishëm. I mposhtur. I mundur. I shkelur me këmbë. Si? Çfarë arsyetimi mund të përdorte për të bindur Gaspër Tragaçin se, shkrimet dhe poezitë nuk ishin të pavlera, nuk ishin punë boshe, punë që s’qesin dobi, ti shpjegonte se, shkrimet dhe poezitë ishin thesari më i madh që një komb mund të grumbullonte, esenca e magjishme që mbante gjallë shpirtin e kombit, ndërkohë, që gjendej i rrethuar nga pasuria e dukshme dhe e prekshme e Gaspër Tragaçit?

Përball shitoreve, karrocave me kuaj, vilave, tokave e gjithçka tjetër që zotëronte Gaspër Tragaçi, si mund të dëshmonte se, edhe puna që bënte ai, e kishte një vlerë dhe…

Ajo vlerë…

Ishte e barazvlefshme me jetën e kombit!

“Gaspër Tragaçi ka të drejtë”, mendoi i vrarë në shpirt Hilushi, “Në Shqipërinë e matrapazëve, dallkaukëve dhe levandinëve, puna e tij vlente më pak se një kothere buke. Dhe… Ndoshta ka të drejtë, edhe kur t’më këshilloj të ndërroj udhë sa nuk është vonë…”,.

Por, për habinë e Hilushit, Gaspër Tragaçi, nuk e këshilloi të ndërronte udhë…

Përkundrazi i lëvdoi shkrimet dhe e këshilloi të shkruante sa më shumë.

“Veç nesh, e gjithë bota e duan vendin e vet. Gjindja e këtushme s’ndjen dashuri për atdheun. Por, nëse nuk ndjejnë, duhet me i ba me ndie me përdhuni. Dikur ndër shqiptar, kishte shumë shkrimtar të zot. Ata e bën Shqipnin. Prandaj, duhet që ju të rinjtë, të punoni më shumë. Të flisni dhe predikoni pa u lodhur. Të shkruani pa pushim. Sidomos djem si ty që janë të zotë në këtë punë. Nuk ka rrugë tjetër… Duhet me e mbajt gjallë kët Shqipni. Me i mbush mendjen të madhi e të vogëli, që ta përparojnë dhe begatojnë vendin e tyre”, i tha Gaspër Tragaçi.

Hilushin zuri ta vriste ndërgjegjja.

Mos ndoshta ishte gabuar dhe e kishte gjykuar keq Gaspër Tragaçin kur kish menduar se, tek ai, nuk kishte as edhe një pikë të vetme dashurie për kombin?

Se, qëllimi i vetëm i atij njeriu ishte veç paraja?

Se…

Për para, Gaspër Tragaçi ishte i gatshëm të shiste jo vetëm atdheun por edhe të ëmën?

Nëse kishte gabuar, duhej ti kërkonte falje.

Ndërsa Hilushin po e torturonin kafshimet e ndërgjegjes, Gaspëri vazhdonte të fliste…

“Mbas luftës së madhe, kujtova se Shqipnija, do t’u makambte. Ti e din se mue, më mbushet mendja me zor. Sidomos në këso punësh. E tash, po druhem se jam gabue”.

“Nuk je gabuar aspak”, nxitoi ta mbështeste Hilushi. “Hapat e para janë të vështirë por shumë shpejt edhe ne, do të hyjmë në udhën e përparimit”.

“Ty të lumtë goja. Ishalla bahet si thue ti. Por unë druhem se kam ra brenda”.

“Ç’kërkon të thuash? Në ç’mënyrë ke rënë brenda?”, e pyeti i habitur Hilushi.

“Hajde e shif”, ia ktheu Gasperi dhe i bëri me shenjë që Hilushi ta ndiqte.

U futën të dy në depon e shitores dhe ecën një copë herë mes rafteve të mbushura dëng me mallra. Në fund të depos gjendej një derë. Gasperi gjeti çelësin dhe e hapi. Hilushi u fut brenda dhe pa që dhoma ishte e mbushur deri në maj me qindra kuti kartoni. Gasperi grisi njërën prej kutive dhe me pamje të trishtuar, nxori që andej një flamur të kuq me shkabën e zezë dy krenare në mes…

Flamurin e Shqipërisë!

“E kupton tash përse të thash, se kam rënë brenda”, i tha Gasperi dhe pastaj shtoi, “mendova se tash që shqiptarët fituan lirinë dhe u bën shtet, s’do të rrinte kush pa e ble një flamur. Por s’blen kurrkush. Më kanë mbetë pa u shitë. Dhe më beso, çmimin, mjaft ja kam ul. Gjynah me mbet pa u shit ky far malli. Shif ç’copë të mirë që ka”, i tha Gasper Tragaçi dhe përkëdheli plot epsh pëlhurën e flamurit.

“Mos e prek me ato duar të ndyta!”, bërtiti befas Hilushi dhe ja rrëmbeu flamurin.

“Ç’pate? U çmende?”, bërbëliti Gaspëri i frikësuar.

“Bukur, besa, e paske mendue… Vuani urie ju shkrimtarë e poetë, por mos rrini pa shkruar e pa fol për atdheun se mua, s’po më shiten flamujt!”, tha Hilushi dhe…

Fundin e rrëfenjës së Ernest Koliqit nuk po e tregoj sepse, dëshiroj që vetë ta lexoni, por, ndërkohë, në këto ditë të mbushura me flamuj kuq e zi që valëviten qiejve, ju këshilloj të hidhni sytë rreth vetes dhe të shihni tregtarët e flamujve…

Letra higjienike, birra, fara kungulli, lule dielli, kompani telefonike, qumësht, dhallë dhe kos, të gjitha të mballosura me simbolin tonë kombëtar.

Shihni se si, nga ekranet e TV, gjatë këtyre ditë të futbollit evropian, në emër të dashurisë për kombin dhe simbolit kombëtar, bankierë dhe tregtarë të çdo lloji, që kurrë, kurrë nuk janë kujtuar të ndërtojnë një shkollë, muze apo bibliotekë, të financojnë krijimin e një gazete mbarëkombëtare apo qoftë të ndihin botimin e një libërthi të vetëm mbi historinë apo kulturën e popullit shqiptar, me qylaf në kokë dhe flamuj në duar, iu kërkojnë pa pushuar të firmosni kreditë tyre duke iu premtuar, se për hir të flamurit, do t’iu rrjepin lëkurën kaq apo aq përqind më pak. Gazeta dhe Televizione, që gjatë gjithë vitit i hapin dyert kanat më kanat, levandinëve që propagandojnë ditë e natë, se flamuri dhe himni kombëtar janë paçavure, që sa nuk është vonë duhet ti zëvendësojmë; flamurin me ndonjë pëlhurë të qëndisur me ngjyrat e dylberit dhe himnin, me ndonjë këngë dashurie për ata që na kanë vrarë e grabitur, coptuar e dhunuar por kurrë nuk na kanë kërkuar falje, tashmë, në emër të flamurit kuq e zi, ju kërkojnë, ju urdhërojnë, të mos i hiqni sytë nga programet e tyre. Politikanë; përpara mëkateve ndaj atdheut të të cilëve, Gaspër Tragaçi duket i pafajshëm sa edhe një engjëll, që të krekosur me fanellat dhe simbolet kombëtare, ju kërkojnë, ju urdhërojnë, ti dashuroni, adhuroni dhe votoni…

Nëse, çdo shqiptar, të paktën një herë në jetën e tij, do të kishte lexuar rrëfenjën e Ernest Koliqit, nuk do të binte peng dhe as do të hipnotizohej nga kurthet e përditshme të tregtarëve modernë të flamujve.

Njësoj si Hilush Vilza i Ernest Koliqit, do të ngrinte kryet dhe do t’u thoshte…

MOS E PREKNI ATË FLAMUR TË SHENJTË O SHUSHUNJA TË BABËZITURA!

JU NUK JENI TË DENJË PËR TË!

JU NUK MERITONI TË QUHENI SHQIPTAR!

Por…

Për fatin e keq të Ernest Koliqit dhe të Shqipërisë, shqiptarët, lexojnë pak dhe harrojnë shumë…

 

Tiranë 17. 06. 2016.

 

RRËFENJË ARKEOLOGJIKE

(E vërteta e fshehur e Antigoneas…)

Projekti i skenarit të një dokumentari që për mungesë fondesh, do të vdiste pa lindur.

 

Në mesditën e 21 prillit të vitit 1930, një djalosh i ri, jo më shumë se 25 vjeç, i ngjitet udhëve të ngushta e të gurta të Gjirokastrës. Çanta ushtarake që mban mbi shpinë, këmisha e ndotur, por më tepër pantallonat e shkurtra, tërheqin vëmendjen e vendasve.

Kush është? Nga vjen? Ku shkon?

Në të kundërt, vështrimi i djaloshit është i ftohtë dhe përçmues. Thuajse sikur, pamja e qytetit, aq shumë e çuditshme për të gjithë të huajt që ndër shekuj kishin ecur udhëve të tij si pushtues apo turistë, nuk kishte asgjë të denjë për t’i tërhequr vëmendjen.

Sa vjeç ishte ai qytet? Kur dhe kush e kishte ndërtuar? Cila ishte historia e tij?

Asnjë prej këtyre pyetjeve nuk shqetëson e mendjen e djaloshit që vazhdon të endet udhëve deri kur, së fundmi, gjen atë që po kërkonte. Një hotel. Futet brenda, i tregon pronarit të hotelit pasaportën e Perandorisë Britanike dhe, në fillim me një shqipe të çalë e pastaj me një greqishte jo më të saktë se shqipja, kërkon një dhomë teke.

Pronari, plot mirësjellje, i shpjegon që dhomat ishin dyshe dhe katërshe.

“Dëshiroj të fle vetëm”, ia kthen i vendosur djaloshi që, siç do të shpjegonte disa orë më pas në ditarin e tij, nuk donte të flinte në të njëjtën dhomë me një shqiptar sepse, “ata, flenë të veshur kokë e këmbë, gërhisnin dhe mbajnë erë”.

Për këtë, gërhitjen dhe erën e keqe që mbanin shqiptarët, djaloshi nuk kishte asnjë dyshim. Prej ditës kur kishte kaluar kufirin greko-shqiptar, kishte fjetur nëpër shtëpitë e shqiptarëve që e kishin pritur bujarisht në strehët e tyre të varfra pa e ditur se, ai, i huaji me të cilin po ndanin bukën, do t’ia shpërblente mirësinë duke i quajtur “gërhitës” të “palarë” dhe “kundërmues”.

“Atëherë duhet të marrësh një dhomë dyshe”, e këshillon pronari i hotelit dhe i tregon çmimet e dhomave të shkruara me shkumës mbi një tabelë të drunjtë.

Djaloshi vështron çmimet me kujdes dhe e kundërshton. Nuk dëshiron të paguaj për dy vetë.

“Unë jam një”, këmbëngul djaloshi duke ngritur lart gishtin tregues.

“Krevatet në dhomë janë dy”, i përgjigjet i zoti hotelit.

Mbas një diskutimi të gjatë mbi çmimin, i huaji pranon të paguaj. Pronari i zgjat çelësin e dhomës dhe e këshillon, që të nesërmen, të mos dalë nga hoteli. Ishte e ndaluar. Qeveria do të bënte regjistrimin e popullsisë.

“Kjo, nuk është e drejtë! Unë jam qytetar britanik”, bërtet djaloshi dhe për të shprehur shpërfilljen dhe bindjen, se ligjet e shtetit shqiptar nuk kishin asnjë pushtet mbi të, tund në ajër pasaportën britanike.

Të njëjtën shpërfillje ndaj ligjeve të shtetit shqiptar, djaloshi e kishte dëshmuar edhe kur, një muaj më parë, kishte kaluar ilegalisht kufirin Greko-Shqiptar diku mes maleve të Çamandës. Në qytezën e Konispolit, funksionarit të xhandarmërisë shqiptare që e pyeti, se kur dhe si e kishte kaluar kufirin, djaloshi, pa i dhënë asnjë përgjigje i kishte tundur para hundëve pasaportën britanike. Funksionari i frikësuar i shtetit të vogël shqiptar, kishte ulur kokën para hijes së dy luanëve të ngrehur Perandorisë së Madhe Britanike dhe e lejoi “hinglisin” të largohej.

Djaloshi quhej Nikollas Hammond dhe vetëm disa muaj përpara se të niste udhëtimin drejt maleve të Shqipërisë së Jugut, ishte emëruar ndihmës profesor në Universitetin e Kembrixhit, në të njëjtin universitet ku kishte mbaruar studimet për histori dhe letërsi klasike.

Rreth gjysmë shekulli më pas, në librin e titulluar “Udhëtime në Epir dhe në Shqipërinë Jugore, para luftës së dytë botërore”, Nikollas Hammond, tashmë një nga profesorët dhe studiuesit më të mirënjohur të universiteteve të Kembrixhit, Bristolit dhe anëtar i Akademisë Britanike, tregon se, qëllimi i udhëtimeve të tij në Shqipëri, ishte përshkrimi dhe përcaktimi i vendndodhjes të vendbanimeve të përmendur në shkrimet e autorëve antik. Nga leximi i këtij libri mësojmë se, mbasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme pranë Konispolit, 23 vjeçari Nikollas Hammond, profesori i ardhshëm i universiteteve të Kembrixhit dhe Bristolit, çuditërisht i ishte shmangur vizitës së qytetit të Butrintit, ku, prej shumë vitesh zhvillonte kërkime një ekspeditë arkeologjike italiane e drejtuar nga arkeologu Luigji Ugolini1.

Përse?

Si ishte e mundur që një studiues i historisë antike, i cili synonte të bëhej arkeolog, nuk ishte tunduar aspak të vizitonte gërmimet e kryera në Butrint, ku mund të kishte fatin të takohej me një arkeolog me eksperiencë siç ishte Luigji Ugolini?

Kush ishte arsyeja që e kishte detyruar të riun Hammond të përjashtonte Butrintin, nga lista e vendeve që do të vizitonte në Shqipëri?

Mos ndoshta kjo arsye, lidhej në një farë mënyre me kalimin ilegal të kufirit Shqiptaro-Grek, po aq sa, edhe me praninë e mundshme të Ugolinit në Butrint?

Mos ndoshta…

Ndoshta 23 vjeçari Nikollas Hammond,  dëshironte që udhëtimi i tij në Shqipëri të ngelej i fshehtë?

Përse?

I pashoqëruar prej askujt, nga skaji perëndimor i kufirit që ndante shtetin shqiptar nga ai grek, Hammond do të udhëtonte drejt veriut deri në fshatin e Zvërnecit, nga ku, mbas eksplorimit të fshatrave Kurveleshit, kishte vazhduar udhëtimin drejt Gjirokastrës që me shumë gjasa ishte edhe pikësynimi i vërtetë i udhëtimit në Shqipëri.

Ndërkohë që në ditarin e tij Nikollas Hammond do të shkruante qartë dhe prerë se; “në afërsi të Gjirokastrës nuk ka vendbanime antike”, i riu britanik do të vërtitej i vetëm fshatrave të luginës së Drinosit për më shumë se dy muaj.

Përse?

Krejt ndryshe nga çfarë pohonte Hammond në ditar, ishin të shumtë autorët antikë që përmendin qenësinë në luginën e Drinosit të qytetit të Antigoneas. Për më tepër, vendndodhja e rrënojave të qytetit antik të Antigoneas tregohej thuajse saktësisht edhe në shumë harta historike të shekujve XVIII.

Përballë këtyre dëshmive, natyrshëm të lindte pyetja; si dhe përse, gjurmët e rrënojave dhe emri i qytetit antik të Antigoneas, ishin zhdukur kaq papritmas nga hartat historike në fillim të shekullit të XX?

Mos ndoshta kjo harresë e pashpjegueshme e vendndodhjes të rrënojave të qytetit antik të Antigoneas ishte edhe arsyeja, që studiuesi i ri Hammond, shprehej i bindur në ditarin e tij se, “në afërsi të Gjirokastrës nuk ka vendbanime antike”?

Apo ndoshta…?

Mbasi eksploron të gjithë luginën e Drinosit dhe viziton një e nga një fshatrat e kësaj lugine, Hammond, udhëton në drejtim të fshatit Seraqenisht, pastaj, edhe ca kilometra më tutje, drejt një kodre që mbante një emër të çuditshëm…

Kalaja e Jermës…

Kalaja e zhuritur!

Aty qëndron më gjatë se kudo tjetër. Për më shumë se një muaj. Mos ndoshta vallë kishte zbuluar gjurmët e një qyteti antik? Aspak! Edhe aty nuk kishte asnjë rrënojë antike të denjë për tu përmendur në ditar. Madje, për humbjen e kotë të kohës, i riu Hamond ia vë fajin Pukëvilit, ambasadorit francez në oborrin e Ali Pash Tepelenës, “dëshmitë e të cilit mbi gjurmët e lashtësisë së Epirit ishin të mbushura me gënjeshtra”.

Në fillim të korrikut 1930, Nikollas Hammond kthehet në Mbretërinë Greke duke kaluar rishtazi ilegalisht kufirin në malin e Nemërçkës.

Pikërisht, në të njëjtën vit, në qytetin e Korçës do të lindte Dhimosten Budina. Arkeologu shqiptar që 35 vite mbas udhëtimit të Hammondit në Shqipëri, do të drejtonte gërmimet arkeologjike në “kalanë e zhuritur” për të zbuluar se, poshtë truallit të saj, gjendej një qytet i madh antik. Ndoshta më i madhi i zbuluar ndonjëherë brenda kufijve të shtetit shqiptar.

Cili ishte emri i këtij qyteti?

Zbulimi i disa pllakave metalike të cilat përdoreshin për të votuar e shtynë arkeologun të arrinte në përfundimin se, qyteti që kishte zbuluar, ishte ai i Antigoneas.

Ishte ky një zbulim apo ndoshta një rizbulim i një copëze të fshehur të historisë?

Ngjante se Nikollas Hammond, më shumë se askush tjetër, kishte qenë pranë zbulimit të vendndodhjes së qytetit antik të Antigoneas dhe, ndoshta mungesa e përvojës e kishte penguar të hidhte hapin, që do ta përfshinte në radhët e atyre pak arkeologëve që kanë fatin të zbulojnë vendndodhjen e harruar të një qyteti antik.

Në fillimin e viteve 50 të shekullit XX, gjurmët e Nikollas Hammond në kodrën e Jermës do t’i ndiqte edhe një ekspeditë arkeologjike shqiptare e cila, njësoj si edhe Nikollas Hammond do ta braktiste kodrën e Jermës pa dyshuar që nën këmbët e saj fshihej një qytet antik me një sipërfaqe prej 90 hektarësh të rrethuar nga 4 km mure, brenda të cilëve gjendeshin shtëpi banimi, shëtitore të gjera, tempuj dhe punishte.

Por, përpara ekspeditës eksploruese të Nikollas Hammond në vitet 30, asaj shqiptare në vitet 50 dhe gërmimeve që çuan në zbulimin e qytetit të Antigoneas në vitet 60 të shekullit të XX nga arkeologu Demosten Budina, edhe një tjetër ekspeditë arkeologjike kishte eksploruar dhe gërmuar në kodrën e Jermës, e…

Madje…

Edhe kishte zbuluar praninë e qartë të ekzistencës nën truallin e saj të një qyteti antik. Për të zbuluar disi identitetin e kësaj ekspedite, duhet të kthehemi mbrapa në kohë…

Dhjetor i vitit 1912.

Në mesin e kolonave të ushtrisë së Mbretërisë Greke, hordhive të mercenarëve dhe bandave të kriminelëve që po pushtonin territorin e shtetit të sapo shpallur shqiptar, bënte pjesë edhe një repart i mistershëm. Qëllimi i tij nuk ishte përmbushja e planeve strategjike ushtarake për pushtimin e qyteteve dhe fshatrave shqiptare, plaçkitja e banesave dhe as masakrat e frikshme me të cilat pushtuesit kërkonin të mposhtnin vullnetin e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e sapo fituar, por…

Kërkimet arkeologjike!

Mos u çudisni, ky repart i ushtrisë greke përbëhej nga punonjës të “Shoqërisë Greke të Arkeologjisë”.

Zelli aq i pashpjegueshëm, sa edhe i çuditshëm i shtetit grek, për të zbuluar mes zjarrit të luftës ballkanike, të fshehtat e historisë të një territori të pushtuar prej pak ditësh, së pari të habiste dhe pastaj…

Përtej habisë, të nxiste të dyshoje se qëllimi i vërtet i këtij reparti të ushtrisë greke ishte transformimi dhe përçudnimi i historisë së trojeve shqiptare dhe kur kjo nuk ishte e mundur, edhe zhdukja e gjurmëve të saj.

Përse?

Menjëherë pas pushtimit të qytetit të Gjirokastrës nga ushtria greke në 3 mars 1913, reparti i arkeologëve ushtarakë që drejtohej nga 24 vjeçari Dhimitër Evangjelidi, punonjës i shërbimit arkeologjik të shtetit grek (Shoqërisë Arkeologjike Greke), filloi gërmimet në kodrën e Jermës.

Por…

Do të ishte historia e zbulimit e një tjetër vendbanimi antik që do ta bënte emrin e Dhimitër Evangjelidit të famshëm në mbarë botën. Emri i këtij vendbanimi antik ishte Dodona, aq shumë e përmendur nga autorët antik për orakullin e saj.

Në vitin 1875, bankieri dhe politikani grek Kostandin Karapano, gërmonë pran shpateve të malit Mitsikeli dhe ndoshta, fati ose profesioni i politikanit dhe ai i bankierit, e ndihmojnë Karapanon të mos gabohet. Në sipërfaqen prej disa dhjetëra hektarësh që zinte qyteti antik i fshehur prej dhjetëra shekujsh poshtë një shtrese dheu të mbuluar nga pemë dhe shkurre, Karapano gërmon pikërisht në vendin ku gjendej një thesar që çuditërisht, kishte një përmbajtje shumë të larmishme. Rreth 1800 objekte mes të cilave kishte monedha prej bakri, argjendi dhe floriri, statuja të madhësive dhe materialeve të ndryshme. Midis  këtyre objekteve të zbuluara nga Karapano në shpatet e malit Mitsikeli gjendeshin edhe ato…

Dëshmitë që qyteti i zbuluar nga Karapano ishte pikërisht Dodona e famshme. Disa fletë prej plumbi mbi të cilat besimtarët shkruanin pyetjet që i drejtonin orakullit. Mbas zbulimit, Karapano organizon në fshehtësi transportimin e thesarit të gjetur brenda kufijve të Perandorisë Otomane, drejt Mbretërisë së Greqisë.

Në vitet në vazhdim, lajmi i zbulimit të qytetit të Dodonës dhe ai thesarit të gjetur nga Karapano, do të shëtiste në të gjitha akademitë dhe muzeumet e vendeve evropiane dhe, së bashku me të…

Do të përhapeshin në Evropë edhe kërkesat politike për të drejtën e ligjshme që kishte shteti grek për të zotëruar territorin e Epirit e Jugut që sipas politikanëve pseudo-historianë si Katapano, mbarte prova të padiskutueshme të historisë dhe kulturës helene. Duke shpërfillur krejtësisht identitetin shqiptar dhe vllah të shumicës dërrmuese së popullsisë së Epirit të Jugut, në vitin 1913, fuqitë e mëdha evropiane e pranuan kërkesën e shtetit grek për zotërimin e Epirit të Jugut, duke e zëvendësuar kështu, pushtimin e Perandorisë Turke mbi Epirin e Jugut me atë të Mbretërisë Greke.

A i përkiste thesari i zbuluar nga Karapano historisë dhe kulturës së qyteteve helene? Duke mos pasur asnjë informacion të bindshëm mbi hapësirën, pozicionin dhe thellësinë ku Karapano kreu gërmimet e tij, akoma edhe sot, arkeologët, nuk janë në gjendje të japin  një përgjigje të saktë mbi kohën që këto objekte i përkasin sa edhe mbi prejardhjen e tyre, pikëpyetje këto, që kanë nxitur shumë studiues të venë në dyshim edhe vetë zbulimin në Dodonë të këtyre objekteve nga ana e Karapanos.

Çuditërisht, me gjithë rolin e madh që luajti zbulimi i qytetit të Dodonës, për të propaganduar dhe arsyetuar përpara opinionit publik evropian pretendimet e Mbretërisë Greke mbi Epirin e Jugut, në vitin 1913, shteti grek ia beson kërkimet në Dodonë, “Institutit Gjerman të Arkeologjisë”. Dodona e kishte kryer misionin e saj. Shteti grek, tashmë zot i Epirit të Jugut, kishte nevojë për një zbulim të ri, me ndihmën e të cilit, ashtu si kishte bërë edhe me Dodonën, të justifikonte pretendimet mbi territoret e shtetit të sapo krijuar shqiptar që histo-politikanët grekë e quanin Epiri i Veriut. Kjo ishte edhe arsyeja për të cilën, reparti i gërmuesve të historisë i drejtuar nga Dhimitër Evangelidi, në vitin 1913, gjendej në kalanë e Jermës.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e pengon “Institutin Gjerman të Arkeologjisë” të kryej gërmime në Dodonë dhe pas mbarimit të luftës, shtetit grek i heq të drejtën për të vazhduar gërmimet.

Historia greke duhet të zbulohej nga arkeolog grekë dhe arkeologu që do t’i besohej misioni i zbulimit e të fshehtave të Dodonës ishte pikërisht Dhimitër Evangjelidi.

Studiuesit dhe kërkuesit e historisë, tashmë prej shumë vitesh, prisnin me ankth të mësonin të fshehtat e Dodonës dhe Dhimitër Evangjelidit i ishte dhënë mundësia e artë për tu bërë goja e orakullit. Ëndrra e madhe e çdo arkeologu, kërkuesi thesaresh apo studiuesi të historisë, për të gërmuar në truallin e shenjtë të orakullit që i kishte thurur vargje Homeri, për Dhimitër Evangjelidin ishte bërë realitet. Emri i tij do të bëhej i famshëm në manualet e arkeologjisë dhe librat e historisë të mbarë botës. Një famë kjo, që në humbellat e saj, fshihte pikëpyetjet mbi gërmimet dhe zbulimet që Evangjelidi kishte kryer në kodrën e kalasë së Jermës. Njollën e grabitësit të historisë të popullit shqiptar. E ndoshta, edhe atë, të përçudnuesit dhe shkatërruesit të historisë për qëllime politike…

Dëshmitë e Hammondit në vitet 30 dhe ato të ekspeditës shqiptare në vitet 50 të shekulli XX, të shtyjnë të besosh se reparti i arkeologëve të ushtrisë greke, përpara largimit nga lugina e Drinosit në shtatorin e vitin 1916, ishte kujdesur jo vetëm të zhdukte çdo gjurmë të gërmimeve, që kishte kryer në kodrën e kalasë së Jermës, por edhe shkatërruar dhe mbuluar me dhe, çdo rrënojë të qytetit antik që ngrihej mbi sipërfaqen e tokës.

Për të shkruar faqet e historisë së re dhe të rreme të një Epiri helen, së pari duhej grabitur, transformuar, përçudnuar, dhe, kur kjo nuk ishte e mundur, edhe shkatërruar çdo dëshmi e historisë së vërtetë të Epirit. Por, përpjekjet për të rishkruar një histori të re dhe të gënjeshtërt të Epirit, Ilirisë dhe mbarë trojeve të populluara nga shqiptarët, duke grabitur, transformuar, përçudnuar dhe shkatërruar çdo dëshmi të historisë së vërtet, kishin një zanafillë shumë më të hershme se ato të Mbretërisë Greke të Evangjelidit.

Në pranverën e vitit 167 p.e.s, konsulli Paul Emili (Lucius Aemilius Paullus) urdhëroi legjionet romake të shkatërronin nga themelet 70 qytete të Epirit. Për shumë muaj rresht, nga porti i Orikumit, anijet romake do të transportonin drejt Italisë “plaçkën e luftës” të grabitur në Epir…

150.000 qytetarë të Epirit të kthyer në skllevër, dhjetëra ton flori e argjend dhe mijëra statuja prej mermeri dhe bronzi të cilat do të zbukuronin udhët Romës.

Pa dyshim që sot, shumë prej këtyre statujave të grabitura nga Paul Emili në Epir, përdoren në muzeumet evropiane sa edhe dhe në tekstet e historisë së artit dhe arkeologjisë, si shembuj të përkryerjes të artit helen apo romak, edhe pse, në të vërtetë, përkatësia e përkryerjes së tyre, nuk është as helene dhe as romake.

Do të ishte absurde të mendoje se qytete me disa dhjetëra-mijëra banorë siç ishin ato epirote, të mos kishin edhe poetë, filozofë dhe historianë. Emrat dhe veprat e këtyre poetëve, filozofëve dhe historianëve epirotë u zhdukën njëherë e përgjithnjë në zjarret që ndezën legjionet romake dhe bashkë me to, u zhduk edhe e vërteta e historisë së Epirit dhe heronjve të tij.

Mbas grabitjes, përçudnimit, zvetënimit dhe shkatërrimit të historisë së vërtetë të Epirit, zuri fill shkrimi i historisë së tij të re. Historia e rremë e një Epiri helen dhe romak…

Një histori e rreme që edhe pse kishin kaluar thuajse 2000 vjet nga koha kur legjionet e Paul Emilit kishin shkretuar Epirin, nuk kishte pushuar së shkruari.

Ishte pikërisht qëllimi për të dëshmuar historinë dhe përkatësinë helene të Epirit që e solli Evangjelidin në Shqipëri. Trembëdhjetë vite më pas, qëllimi për të dëshmuar historinë dhe përkatësinë romake të Epirit, solli në Shqipëri edhe arkeologun italian Luigi Ugolini.

Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Greqisë dhe ajo e Italisë, do të paraqisnin në tryezat e diplomacive evropiane pretendimet e tyre për të pushtuar Shqipërinë e Jugut në emër të dëshmive të historisë…

Të kujt historie?

Të asaj që do të zbulonin Evangjelidi dhe Ugolini?

Cili ishte kufiri që ndante historinë e Evangjelidit dhe Ugolinit nga politika?

A do të kishin ata guximin, t’i kundërviheshin politikës së shteteve që i paguanin dhe të dëshmonin të vërtetën e historisë së Epirit, nëse përballeshin me të?

Apo, ndoshta ajo, historia e vërtetë e Epirit, tashmë kishte vdekur njëherë e përgjithnjë?

Por…

A mund të vdesë e vërteta?

Mundej vallë që, edhe vërteta e historisë së Epirit t’i kishte mbijetuar legjioneve të Paul Emilit dhe pushtuesve të tjerë të trojeve Shqiptare?

Të ishte e mundur që kjo e vërtetë, të fshihej edhe nën rrënojat e Antigoneas, Butrintit, dhe pse jo, edhe në ato të shumë qyteteve të tjera të Epirit dhe Ilirisë?

 

Fundi i pjesës së parë.

 

Tiranë, 22. 05. 2016.

 

  1. 1. Luigji Maria Ugolini (1895 –1936). Arkeolog italian. Nga viti 1924 deri në vitin 1936 drejton kërkimet arkeologjike italiane në Shqipërinë e Jugut. Autor i librit “Shqipëria antike” (L’antica Albania: nelle ricerche archeologiche italiane).

 

 

KUSH PO GËNJEN ÇAMËT? APO… ÇAMËT PO GËNJEJNË VETVETEN?

Vetëm një ditë përpara vizitës së radhës të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushati në shtetin grek, z. Dr. Abaz Hodo, kryetar i shoqatës “Çamëria”, me tejet “respekt dhe konsideratë të lartë”, do t’i shkruante ministrit të sipërpërmendur një letër të hapur, (Gazeta Panorama, 21. 03. 2016).

Pasi i përshkruan me pak fjalë ministrit, historinë e tij familjare dhe atë të shoqatës “Çamëria”, z. Dr. Abaz Hodo, i zbulon ministrit edhe një histori të panjohur…

Historinë e shqiptarëve të Çamërisë!

Ne pësuam të njëjtin fat, që Millosheviçi tentoi ndaj shqiptarëve të Kosovës; një situatë të ngjashme me genocidet ndaj shqiptarëve të Nishit apo Sanxhakut, dy shekuj më parë. Pra një përpjekje e vazhdueshme për të rrudhur dhe cunguar, hapësirën ku jeton kombi ynë. Ne u dëbuam sepse ishim shqiptarë e, rrjedhimisht çështja jonë nuk është e “jona” si pasardhës të të vrarëve dhe të dëbuarve, por është e jona si shqiptarë”, (e marrë pa ndryshime nga gazeta “Panorama”).

Sigurisht që tashmë, ju do t’më pyesni se për ç’zbulim apo histori të panjohur e kam fjalën, kur, historinë aq të dhimbshme e tragjike të dëbimit të dhunshëm të popullsisë shqiptare të Çamërisë, në Shqipëri, e dinë të gjithë, madje, edhe fëmijët e shkollave fillore.

Të gjithë?

Vërtet e dinë të gjithë?

Edhe pse mund t’ju ngjajë absurde, e bëj këtë pyetje sepse, nëse është ashtu siç mendoni ju, pra, që historia e dëbimit të shqiptarëve nga Çamëria është e njohur nga të gjithë, përse vallë z. Dr. Abazi, ndjeu nevojën t’ia rrëfente ministrit tonë të jashtëm?

Dhe…

Nga kjo pyetje, të lindin natyrshëm edhe dy pyetje të tjera…

Mos ndoshta z. Dr. Abazi, me gjithë respektin dhe konsideratën që shpreh për ministrin, dyshon se mos ndoshta ai, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, nuk e njeh historinë e dëbimit të shqiptarëve nga Çamëria?

Por…

Nëse me të vërtetë z. Dr. Abazi brehet nga pesha e një dyshim të tillë, atëherë, si mund të ketë konsideratë dhe respekt (ashtu si shprehet në fund të letrës së hapur) për një ministër, që nuk e njeh një nga faqet më tragjike të historisë së Shqipërisë?

Si mund të shpresojë, se një ministër i këtillë, që nuk njeh historinë e popullit të tij, do të dijë të shtrojë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, në bisedimet me shtetin grek?

I pa shqetësuar nga pesha e dyshimeve që mbars në mendjen e lexuesit, z. Dr. Abazi, i zbulon më tej ministrit edhe se…

Ne u dëbuam sepse ishim shqiptarë e, rrjedhimisht, çështja jonë nuk është e “jona”, si pasardhës të të vrarëve dhe të dëbuarve, por është e jona si shqiptarë. Për këtë arsye, po ju drejtohem për një çështje tuajën, çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Kjo çështje është e juaja dy herë; si shqiptar dhe si ministër i Republikës së Shqipërisë. Si shqiptar, sepse është një çështje e përbashkët e mbarë kombit shqiptar dhe si ministër, për shkak të detyrimeve të shumëfishta që keni në këtë lëmë”.

Frazë kjo, që, rishtazi, të nxit të pyesësh veten se mos ndoshta, z. Dr. Abazi dyshon që ministri nuk i di, apo ndoshta, për një shkak apo një tjetër i nënvleftëson të gjitha këto…

Pra nuk di apo nënvleftëson, faktin që…

Shqiptarët u dëbuan nga shteti Grek, për të vetmen arsye dhe faj sepse, ishin shqiptarë!

Dëbimi i shqiptarëve nga Çamëria është dhe do të jetë pjesë e pandashme e historisë së kombit tonë dhe një çështje mbarë kombëtare!

Që…

Ministri e Republikës së Shqipërisë, si shqiptar dhe si ministër, e ka për detyrë të bëj publike qenësinë e kësaj çështjeje!

Është e logjikshme të mendosh që nëse z. Dr. Abazi dyshon se ministri nuk i di të gjitha këto, në vend të një letre të hapur për ministrin, nënvizojmë, të shkruar me respekt dhe konsideratë të lartë, duhej të kërkonte pa asnjë mëdyshje dorëheqjen e tij.

Por…

  1. Dr. Abazi, në vend të dorëheqjes, si një baba i kujdesshëm që edukon të birin, pasi i mëson ministrit historinë aq të panjohur të shqiptarëve të Çamërisë, i jep atij edhe këshilla të hollësishme se si, të mos bjerë pre e kurtheve greke…

– Biri im, nëse ata, grekërit, do të thonë kështu, ti, përgjigju ashtu…

Mos qeshni. Nuk ka asgjë për të qeshur.

Ja se si e këshillon ministrin. z.Dr Abazi…

Jam i bindur se pala greke do të përmendi mashtrimin se paraardhësit tanë kanë bashkëpunuar me forcat naziste. Këtë e kanë thënë, ose nënkuptuar, edhe në praninë tuaj. Në nderin tonë kombëtar, përgjigja juaj duhet të jetë e qartë: shqiptarët e Çamërisë kanë dy veçanti të pagjendura në Ballkan. Ata kanë zhvilluar betejën më të gjatë pa ndërprerje kundër forcave naziste, betejën 55 ditore të Konispolit…”, etj etj.

Një këshillë kjo, tejet dhe krejtësisht e pavlefshme si nga ana diplomatike ashtu edhe nga ana historike, sepse…

Edhe sikur, dhe, theksoj sikur, popullsia shqiptare e Çamërisë të kishte bashkëpunuar me forcat nazi-fashiste, ky bashkëpunim imagjinar nuk e shfajëson aspak shtetin grek për krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe as ligjëson dhe justifikon dëbimin e tyre.

Mbi popujt e asnjë shteti të Evropës që bashkëpunoi haptazi me nazizmin dhe fashizmin si, Bullgaria, Rumania apo Hungaria, nuk u ushtrua si ndëshkim, as gjenocid dhe dëbim nga atdheu i tyre. Nuk u ushtrua gjenocid dhe dëbim nga atdheu i tyre, as mbi italianët dhe as mbi gjermanët, në vendet e të cilëve lindi nazizmi dhe fashizmi.

Atëherë, çfarë arsye e përçartur mund të na shtyjë të mendojmë se, në ndonjë tryezë diplomatike, gjenocidi dhe dëbimi i shqiptarëve të Çamërisë, mund të justifikohet dhe të përligjet me, një bashkëpunim hipotetik dhe krejtësisht të pabazë me nazi-fashizmin?

Nëse kjo, në të shkuarën apo në të ardhmen, ka ndodhur apo do të ndodhë në një tryezë bisedimesh shqiptaro-greke, do të thotë, që pala shqiptare në këtë tryezë, ka qenë e prirë, për një arsye apo një tjetër, të shfajësojë me ndihmën e kësaj hipoteze, paaftësinë dhe mos dëshirën e saj, për të vënë në vend të drejtën e nëpërkëmbur dhe dinjitetin e shqiptarëve të Çamërisë. Pra, që faji, nuk është aspak i palës greke që ka thurur  gënjeshtrën e bashkëpunimit me nazizmin, por, i palës shqiptare, që e pranon këtë gënjeshtër si arsye të vlefshme për justifikimin e krimeve të pajustifikueshme të gjenocidit, shpronësimit dhe dëbimit që shteti grek ushtroi ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Mbas një sërë përsiatjesh, se çfarë dhe si, ministri, si shqiptar dhe si ministër, duhej t’i kërkonte shtetit grek në emër të shqiptarëve të Çamërisë, z. Dr. Abaz Hodo, kryetar i shoqatës “Çamëria”, e mbyll letrën e hapur duke i shprehu ministrit, siç edhe rrëfyem më sipër, respektin dhe konsideratën e tij të lartë.

Listës së gjatë të mësimeve të historisë, këshillave dhe kërkesave që z. Dr. Abaz Hodo i drejtoi ndërmjet letrës së hapur, ministrit të jashtëm z. Ditmir Bushati një ditë para vizitës në Greqi, iu shtuan edhe dy “ftesat” e bëra nga z. Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, parti kjo, që në bisedat e përditshme njihet me emrin “partia e çamëve”.

Ftesa?

Ju ftoj”, i drejtohet z. Idrizi, Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, “të thoni të vërtetën e pakundërshtueshme, të shqiptarëve të Çamërisë, të kombit tonë, timin, tuajin!”.

Ju ftoj që të mbroni dinjitetin kombëtar dhe parimet e vlerat evropiane, në takimin tuaj në Athinë dhe jam besimplotë se do të ktheheni në Tiranë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë me emrin DITMIR e jo si Dhimitër…” (sipas, lajme.al).

Ç’ndodhi më pas?

Ministri shkoi në Greqi, buzëqeshi, i shtrëngoi dorën homologut të tij grek z. Nikos Kotzias, dëgjoi me kënaqësi lëvdimet e ministrit grek, që e quajti mik të Greqisë, sepse kishte studjuar në Greqi, buzëqeshi rishtazi, dëgjoi t’i flisnin edhe për emigrantët sirianë, për varret e ushtarëve grekë në Shqipëri, foli paksa për ligjin e luftës, u kënaq me përgjigjen tashmë bajate se Shqipëria dhe Greqia ishin vende miq dhe aleate në NATO, dhe, si mik i Greqisë, i kujtoi shqiptarëve që Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat për në BE gjatë presidencës greke, pra falë Greqisë dhe…

Ndryshe nga çfarë e kishte këshilluar z. Dr. Abazi dhe ftuar z. Idrizi, u kthye në Shqipëri pa thënë qoftë edhe një fjalë të vetme mbi çështjen çame.

Përpara se të shkruaja këto fjalë, prita disa ditë me shpresën se, do të dëgjoja reagimin e z.Idrizi apo z. Dr. Abazi, sepse, ajo që kishte ndodhur, ishte e rëndë…

Po t’i besoje fjalëve të z. Dr. Abazi dhe ato të z. Idrizi, meqë ministri nuk tha as edhe një fjalë të vetme për çështjen çame, i binte që ky, sipas fjalëve të tyre, mos e dhëntë zoti, të ishte kthyer nga Greqia si Dhimitraqkë dhe jo si Ditmir.

Që, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, ishte i paaftë të thoshte të vërtetën e pakundërshtueshme e historisë së shqiptarëve të Çamërisë!

Të mbronte dinjitetin kombëtar!

Të kryente detyrat e tij si shqiptar dhe si ministër!

Si mund të pranonin z. Dr. Abazi dhe z. Idrizi të përfaqësoheshin nga një ministër i tillë?

Por…

Çuditërisht, nga z. Dr. Abazi dhe z. Idrizi nuk pati asnjë reagim të bujshëm ashtu siç duhet të ishte, nëse vërtet besonin në fjalët që i drejtuan z. ministër apo do të ishin vërtetë të përkushtuar në misionin e shenjtë të rikthimit të dinjitetit të nëpërkëmbur të popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Atëherë, përse vallë, u munduan së koti të shkruajnë letra dhe të bëjnë ftesa?

Mos ndoshta që nesër me to, të lanin duart si Ponc Pilati duke i thënë përkrahësve të tyre se ne, e bëmë tonën, por ai, ministër Dhimitraqka, nuk na dëgjoi?

Meqë, z. Idrizi është në të njëjtin koalicion politik me z. ministër, përse vallë nuk ia bëri që më parë “ftesat” apo kërkesat që kishte ndaj tij, por priti ditën e udhëtimit në Greqi?

Kur pa se ministri nuk e dëgjoi, përse vazhdon të qëndrojë në të njëjtin grupim politik me të?

Përse organizata e drejtuar nga z. Abazi nuk reagon?

Për përfitime politike dhe personale apo ndoshta…

Si z. Idrizi ashtu edhe z. Dr. Abazi, së fundmi u bindën se, z. ministër i Shqipërisë dhe homologu i tij grek, kanë të drejtë dhe ata gabohen?

Pra…

Që çështja çame nuk ekziston?

Që, ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri nuk është kryer asnjë padrejtësi?

Kush po luan me çështjen çame, ministri i jashtëm i Greqisë, ministri i jashtëm i Shqipërisë, apo, z.Idrizi dhe z. Abazi?

Mos ndoshta të gjithë së bashku?

Në vend të përgjigjeve nga z. Idrizi dhe z. Dr. Abazi, në ekranet e Tv na u shfaq deputetja Mesila Doda e cila në emër të “partisë së çamëve” shpalli befas se, tanimë e tutje, qëllimi i partisë së saj, nuk ishin më, vetem “çamët” (sepse problemin e tyre, pas këshillave të z. Abazi dhe z. Idrizi e zgjidhi ministër Dhimitraqka!) por…

Bashkimi Kombëtar!

A mundemi që t’i besojmë?

 

Tiranë, 30. 03. 2016.

SIKUR ME PAS FOL SOT, FAIK KONICA…

(pasqyra e ministrit)

 

 

Dutmu Butmu, Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretëri…, Republikës së Zululandit, rregulloi mbi hundë syzet e arta, rrudhi ballin, shtrëngoi vetullat, rrahu qerpikët njësoj ashtu siç rreh krahët një dallëndyshe e plagosur, dhe…

U vështrua gjatë në pasqyrë.

Kështu bënte ngaherë kur problemet e shumta dhe aq tepër të koklavitura që mbarte posti i lartë i Ministrit të Punëve të Jashtme i Republikës së Zuluve e detyronin të mendohej. E për dreq, këta, zulutë, populli i tij që mos qoftë, ishin të bindur se të tjerët, i kishin bërë në të shkuarën aq shumë padrejtësi sa atij, i duhej të shihej në pasqyrë të paktën për nja shtatë apo tetë orë në ditë.

Shihej në pasqyrë kur hante, kur pinte, kur dhjen…, kur udhëtonte me avion, kur takohej me ministrat e shteteve të tjera.

Shihej në pasqyrë, buzëqeshte, shtrëngonte duar sa në të majtë e në të djathtë dhe pastaj, përsëri buzëqeshte e shihej rishtazi në pasqyrë duke medituar gjatë nëse kishte buzëqeshur ashtu siç duhej.

– Ç’kërkojnë nga unë më shumë se kaq – i shfryu ministri plot mllef vetvetes në pasqyrë.

– Përse më bien në qafë?

– Më kërkojnë të mendohem përpara se të flas!

– E ku ta gjej unë kohën për tu menduar?

– Ngrihem nga gjumi. Ha mëngjesin që mos e ngrënsha në gënjej, mbasandaj, vrap e tek estetisti. Nja dy orë më duhen, ndryshe, si do ta kisha një lëkur të tillë, – bërbëliti ministri dhe i hodhi një vështrim të kënaqur pasqyrës.

– Si byçkë fëmije e kam. Ama, nuk është e lehtë. Duhen masazhe, kremra, maska me baltë nga deti vdekur, të tjera me leshterik nga deti kuq, dhe orë të tëra para pasqyrës. Në Bruksel, Strasburg, Vjenë dhe Londër, lëkura ime është legjendë. Të gjithë ma lëvdojnë. Kurse… Këtu në Zululand, askush nuk e përmend. Përse nuk ndihen krenarë për lëkurën time që e gjithë bota ma lëvdon, por më kërkojnë të zgjidh probleme të paqena?

Zulutë që braktisnin atdheun…

Zulutë që asimilohen…

E ku qëndron problemi këtu?

Ku ka më mirë që Zulutë emigrojnë dhe asimilohen? Kështu qytetërohen dhe mësojnë të admirojnë vlerat e vërteta të qytetërimit… Lëkurën si e imja, kostumet me të cilat unë, i përfaqësoj këta mosmirënjohës aq denjësisht në botë, mënyrën se si qesh, shtrëngoj duart, nënshkruaj marrëveshjet. Meqë ra fjala tek kostumet, në diplomaci, kostumet janë themelore dhe për të zgjedhur stofrat e duhura që të shkojnë me ngjyrën e lëkurës dhe atë të syve, duhen orë të tëra studimi. Të shfletosh revista pas revistash dhe pasi të gjesh stilistin e duhur për ty, atë më të famshmin e momentit, duhen bërë prova pas provash. Si mund të shkosh në një takim ndërkombëtar i veshur me kostumin e dikujt që nuk e ka emrin në faqet e para të revistave të modës? Të gjithë do të qeshin me ty. E për më tepër, me namin e keq që kanë Zulutë, populli im që mos qoftë. Kostumi, kravata, lëkura, flokët (ah flokët…), bëjnë diferencën. Të gjithë të shohin dhe thonë me vete, “këta zulutë nuk qenkan dhe aq zulu sa ç’thuhet. Shiko ç’stil, ç’sharm e ç’buzëqeshje! Ky ministër, edhe pse zulu, nuk duket aspak ashtu,siç thuhet se janë zulutë… Të egër, barbarë dhe të pa ditur. Dëgjoni se sa bukur e me ç’elegancë e flet anglishten, frëngjishten, italishten. Dikush madje, atje në Bruksel, apo, ndoshta në Paris, teksa më lëvdonte për aftësinë me të cilën flisja gjuhët e popujve të qytetëruar, kostumin dhe kollaren që më shkëlqenin mbi trup, më rrëfeu për një pasha zulu që ashtu si unë, e kishte mahnitur parinë e kryeqyteteve të Evropës me aftësinë që kishte për të folur gjuhët e huaja, pendët me të cilat stoliste qylafin, koleksionin e uniformave që i ndërronte sa herë shfaqej në publik, aq sa, nuk ngjante fare si Zulu.

“Njësoj si ju… Pastaj, nuk e di se përse, një tjetër zulu e vrau”, i kishte thënë ai dikushi dhe i rrahu shpatullat.

“Eh!”, psherëtiu ministri, “Një burrë të tillë, zotëri burrë, që bota e donte aq shumë… Me gjuhë të huaja, sharm, stil e gjithë të tjerat… Domosdo që përfundoi i vrarë nga një zulu. Ne zuluve (që mos qofsha), nuk na e kanë fajin të tjerët. Jemi gjëma e vetvetes. Si quhej ai pashai? Mmm! Më ngjan Esit apo Esat, diçka e tillë… Duhet t’ia shënoj emrin dhe të llafos me shefin e madh që t’i ngremë një shtatore”.

Befas, në rrugën poshtë ndërtesës së ministrisë, u dëgjua një britmë ankthi, pastaj, një sërë krismash. Ndoshta një breshëri automatiku…

“Fishekzjarrë!”, mendoi ministri pa i hequr sytë nga pasqyra.

“Rrugaçët! Nuk pushojnë së harxhuari paret duke blerë fishekzjarrë dhe pastaj, ankohen që nuk kanë me se të blejnë bukë! Ehh këta zulutë! Si të bëjmë me ta? Nuk pushojnë së ankuari! Njëherë, që s’kanë bukë dhe njëherë tjetër, që s’kanë punë. Në Evropë, njerëzia ëndërron të  qëndrojë në shtëpi, përpara Tv pa bërë asgjë hiç, kurse këta, dashkan punë. Ankohen se gjoja dikush, iu rrëmben vajzat dhe i shet si skllave rrugëve të Evropës dhe pastaj, i harrojnë vajzat dhe thonë, se ky dikushi, po iu vjedh historinë, dhe shteti, nuk bën asgjë për ti mbrojtur. I gjithë ky zullum, për ca poçe e gurë të vjetër… Po i vjedhin historinë! Ngordhi bota për historinë e Zuluve! Ç’histori zeza? Ca banditë e ca kusarë që bridhnin sa andej këndej mbi kuaj. Ne ngremë pallate kurse këta, akoma tek gurët e gjyshërve. Dhe… Kësaj radhe…”

– Për besë që kësaj radhe, më ranë në qafë së koti, – i foli ministri pasqyrës.

– Më beso, krejt së koti.

– Ngritën krye sepse thashë, “PARTINË E DUA MË SHUMË SE ATDHEUN”.

– Më thuaj o pasqyrë, ku qëndron problemi këtu? Se, ja… Gjyko ti vetë… Ç’më ka dhënë atdheu mua? Asgjë prej gjëje. Kurse Partia… Partia më bëri ministër. Më thuaj, ç’do të isha unë, nëse, nuk do të ishte Partia? Një hiç, ja se ç’do të isha. Ndoshta do të shisja banane ose fiq, apo, e shumta, do t’më shkonte jeta duke punuar si përkthyes i të huajve që vijnë në Zululand për të bërë ahengje dhe gjuajtur kafshë të egra. Pastaj, ç’është ky atdheu, që duhet ta dua më shumë se Partinë?

Në Parti i njoh të gjithë… Horrin, Morrin, Qorrin… Konen dhe Bolen. Pallën dhe Shalën. Dhe, të gjithë më njohin mua. E përse u dashka ta dua atdheun, që e përsëris, s’më ka dhënë gjësendi, më shumë se këta?

“Vërtet… Ç’të jetë ky, atdheu? Përse zulutë më kërkojnë ta dua më shumë se Partinë?”, mendoi ministri.

Meqë, edhe pse shtrëngoi vetullat, rrudhi ballin dhe rrahu qerpikët, nuk mundi t’i gjente një përgjigje pyetjes se ç’ishte atdheu, ministri vendosi të këshillohej me këshilltarin e tij ministror.

Këshilltari, po aq riosh dhe bukurosh sa edhe ministri, pasi i lëvdoi kravatën dhe kostumin, si këshilltar që ishte, e këshilloi se çfarë kremi të përdorte për qeset e syve.

– Ju lodheni shumë, – i dha fund këshilltari, këshillave për kremin.

– Kam një pyetje, – tha i zymtë ministri.

– Çfarë? – pyeti këshilltari i gatshëm të përsëriste mënyrën e përdorimit të kremit të syve.

– Doja të pyesja nëse… Ti, a di gjë, se ç’është ky atdheu?

– Atdheu? – përsëriti i habitur këshilltari.

– Atdheu, – këmbënguli ministri.

– Si të them… Besoj se do të jetë shkruar në ndonjë libër, – tha me dyshim këshilltari dhe pastaj shtoi…

– Librat me gjëra të tilla merren.

– Gomar! – shfryu ministri, – po ta kishim humbur kohën duke lexuar libra, as unë dhe as ti, nuk do të ishim këtu ku jemi.

– E vërtet, – pohoi këshilltari.

Heshtje.

– Po sikur, sikur të pyesim shefin e madh, – propozoi papritmas këshilltari.

– Dy herë gomar!, – shfryu ministri dhe duke imituar zërin e hollë dhe femëror të këshilltarit, shtoi…

– Po sikur, sikur shefi të mërzitej nga padituria jonë dhe të bënte ministër Horrin, Morrin ose Qorrin? Pallën apo Shalën?

– Vërtet… Shefi mund të mërzitej. Ai mërzitet lehtë dhe kur mërzitet, nuk ta zgjat shumë.

– Shhhtttt!

Ministri vuri gishtin tregues para hundës dhe së bashku me këshilltarin vështruan me ndrojtje përreth.

– Si të bëjmë atëherë? – pyeti  me zë të ulët këshilltari.

– E gjeta! – tha ministri,– të pyesim Stufu Faqeziun.

– Ide e përkryer! – tha i ngazëllyer këshilltari.

– Jo më kot, un jam ministër dhe ti këshilltar,– ia ktheu i kënaqur ministri.

Stufu Faqeziu ishte analo-opinionisti më mendjendritur i Zululandit. Çdo ditë e çdo natë, herë nga faqet e gazetave dhe herë nga ekranet e Tv, Stufu Faqeziu e këshillonte popullin e zuluve se, për çfarë dhe si, duhej të mendonte.

Zululandi kishte disa analo-opinionistë, njëri më faqezi se tjetri, por Stufu, pa dyshim që ky, ishte më faqeziu ndër të gjithë.

Këshilltari rrëshqiti gishtin mbi iPhonin e ri dhe priti.

– Alo? Stufu Faqeziu? Mir! Po… Dëgjo,– tha këshilltari dhe e pyeti faqeziun se ç’ishte atdheu.

– Ç’thot, – pyeti i paduruar ministri.

– Thotë se, mbi këtë temë ka shkruar disa artikuj.

– Ç’më duhet, – rënkoi ministri i zemëruar.

– Një në gazetën “Llapaqeni” dhe tjetrin tek “Zagarlehësi”.

– Nuk e pyeta se me kë dhe ku është ndërzyer, por se ç’është atdheu…

– Po bërtet, – rrëfeu këshilltari dhe largoi iPhonin nga veshi – thotë se, duhet ta ndalojmë me ligj dashurinë për atdheun. Sepse… Atdheu është një përrallë që i ka kaluar koha. Që… Dashuria për Atdheun, për një popull si zulutë që duhet të qytetërohet, është më e rrezikshme se një epidemi kolere. Se… Duhet ti mësojmë zuleve që atdheu është shteti. Që… Kush e do shtetin do edhe atdheun. Në të kundërt… Kush nuk do shtetin është armiku i atdheut.

– Si përfundim? – pyeti ministri.

– Atdheu është shteti,– tha këshilltari.

Ministri rrudhi mendueshëm ballin, shtrëngoi vetullat, rrahu qerpikët dhe vështroi ngultas pasqyrën.

– Meqë shteti, jemi ne… Unë, ti, Horri, Morri, Qorri, Palla dhe Shala, pra ne… Partia! Atëherë, nuk u gabova aspak kur thash që, “Partinë e dua më shumë se Atdheun”, sepse, pa ne, pa Partinë, nuk do të kishte shtet dhe, si rrjedhojë, nuk do të kishte as atdhe,– arsyetoi ministri  dhe me një pamje të kënaqur pyeti pasqyrën…

– U binde, që unë kam të drejtë dhe ata, zulut, gabohen?

Pasqyra heshti e nuk u përgjigj.

Ndoshta sepse, nuk ishte magjike…

Ndoshta sepse, kishte FRIKË të thoshte të vërtetën…

 

FUND.

 

Me dashuri dhe respekt të gjithë zuluve nga, B.K (Bey Konica).

Firma, data e gjithë të tjerat…

 

Tiranë 25. 02. 2016.

EUROPA dhe profecia e J. G. Hahn…

Fuqitë e mëdha evropiane (Franca, Anglia, Rusia, Gjermania) mbasi e detyruan Perandorinë Otomane nё vitin 1829 tё njihte krijimin e njё shteti qё nxituan ta pagëzonin me emrin “Greqi”, tё pranonte pavarësinë e këtij shteti nё vitin 1830, kurorëzuan edhe njё princ bavarez si mbret tё tij nё vitin 1832.

Qindra ekspertë të fushave të ndryshme të qeverisjes dhe administrimit të një shteti, e shoqëruan mbretin e ri nё udhëtimin drejt mbretërisë qё mbarte emrin magjepsës “Greqi”. Atdheut tё Pitagorёs, Platonit, Eskilit, Leonidёs dhe Themistokliut…

Udhëtim ky, qё nё gazetat evropiane do tё krahasohej plot epos dhe mallëngjim  me udhëtimin e Argonautëve.

Por, a ishte vёrtet Greqia, Greqi?

Pra, njё vend i populluar nga njerëz qё flisnin gjuhën e banorëve të Greqisë antike?

Midis këtyre qindra ekspertëve shtetformues qё shoqëruan mbretin bavarez drejt mbretёrisё tё sapo pagëzuar Greqi, bënte pjesë edhe doktori në drejtësi J. G. Hahn. Ashtu si tё gjithë ekspertët e tjerë evropianë qё ju bashkëngjitën misionit tё mbretit bavarez pёr tё formuar shtetin e ri, edhe J. G. Hahni, do tё vërente me habi se ajo, gjuha greke që flitej në Greqi, nuk i ngjasonte aspak greqishtes antike që mësohej në shkollat evropiane.

Habia e parë do tё pasohej nga njё e dytё akoma mё e madhe.

Popullsia e shtetit tё ri, në pjesën dërrmuese të saj fliste njё tjetёr gjuhё, krejt e ndryshme nga ajo e para qё quhej greke por e tillë nuk ishte. Kjo gjuhë tjetër i përkiste njё populli tё quajtur shqiptar, tё njëjtit popull të cilit i përkisnin edhe luftёtarёt mё tё paepur dhe prijësit kryesorë tё kryengritjes antiturke qё gazetarët evropianë e kishin emëruar “greke”, por që tashmë, askush nuk ishte më i sigurt nëse ishte e drejtë të vazhdonte të cilësohej si e tillë.

Sot Atika, Magara, Beotia, Eubeja e Jugut, Argolisi dhe Korinthi kanë vetëm banorë shqiptarë… Ndër ishujt Hydra, Specia, Poros dhe Salamisa  banohen vetëm nga shqiptarë dhe në këto vende përpara kryengritjes greke, asnjë grua nuk dinte greqisht. Kjo shpjegon se pёrse luftërat ndër dete u kryen vetёm nga shqiptarët, dhe arsyen qё sot gjuha e folur në flotën greke është vetëm shqipja. Por edhe në kampet e kryengritjes në Tripolice dhe Athinë nuk flitej aspak vetëm greqisht, sepse elementi luftarak shqiptar merrte  pjesë edhe në betejat e tokës. Marko Boçari dhe Foto Xhavella ishin shqiptarë nga Suli, tё tillё janё edhe Grivat që janë po nga Suli, siç ishin shqiptarë edhe Kriziotët nga Eubeja e Jugut”.

(J. G. Hahn. Studime Shqiptare. Kap, IV)

Por, ndërsa i gjendur përpara këtij problemi krejtësisht të pa parashikuar, mbreti i ri i ndihmuar nga këshillat e ekspertëve shtetformues evropianë dhe të dhespotëve të Kishës së Krishtere Ortodokse vendosi që, nëse nuk kishte një komb grek, zgjidhja më e mirë do të ishte ta formonin një të tillë, J. G. Hahn i pasionuar pas hulumtimit të historisë së popujve dhe gjuhëve qё ata flisnin, filloi të studionte historinë, zakonet dhe gjuhën e popullit të shqiptarëve. Shqiptarë të cilët, politika evropiane e ndihmuar nga ajo e Kishës Ortodokse  vendosi t’i “qytetëronte” duke i kthyer në grekëfolës dhe në të tilla raste, ashtu si kishte ndodhur shumë herë në histori, dënimi për ata që nuk dëshironin të “qytetëroheshin” duke harruar kulturën, gjuhën dhe historinë e tyre ishte një dhe i vetëm…

Vdekja!

Në këtë përpjekje, apo më saktë, luftë kundër kohës për të memorizuar në kujtesën e historisë, qenësinë e kulturës dhe gjuhës tё njё populli tё dënuar me vdekje,  J. G. Hahn do të shkruante “Studime Shqiptare” (Jene, 1854).

Krejtësisht i ndërgjegjshëm për pafuqinë e tij për të  ndalur aksionin e dhunshëm politik, ekonomik, kulturor, demografik, që shteti i ri grek i ndihmuar me aq zell edhe nga Kisha Ortodokse kishte ndërmarrë për të “qytetëruar”, apo më saktë, për të “greqizuar” shqiptarët, Hahni shkruan i dëshpëruar…

Tashmë shqiptarëve të Greqisë nuk i vjen mirë t’i quash shqiptarë, sepse  i ngjan njësoj, si t’i quaje barbarë. Ai e quan veten helen dhe mburret me këtë origjinë. Në shumë qytete të mëdha të Atikës, gratë kur shohin se pranë tyre po kalon në rrugë një i huaj, flasin greqisht, dhe në Hydra, Specia dhe Salamis, mund të takosh sot vetëm pak vajza, që nuk dinë të flasin greqisht, megjithëse gjuha e familjeve të tyre është shqipja. Ky zhvillim po ecën kaq shpejt, sa nëse do të vazhdojë me këtë ritëm, brenda tre brezave shqipja do të flitet vetëm ndër skajet më të veçuara të Greqisë dhe brenda gjashtë brezave do të jetë zhdukur fare…”. (Studime Shqiptare. Kap, IV)

Nga largësia e kohërave mund tё dёshmojmё që tashmё, kjo “pjesё” e profecisё sё Hahnit ёshtё thuajse përmbushur. Shkruajmë “pjesё” sepse nё shkrimet e tij, Hahn, mё shumё se njëherë shpreh ndjenjën dhe dyshimin se harresa, zhdukja e kujtesës sё kulturës dhe gjuhës tё shqiptarëve tё Greqisë, mё shumё se vetë atyre, do t’i shkaktonte një dëm tё pa zёvendёsueshёm kujtesës historike dhe kulturore tё Evropës. Do tё cungonte njёherё e pёrgjithnjё identitetin shpirtëror e tё qenit dhe tё ndjerit evropian. Se, duke pranuar zhdukjen e kulturës dhe gjuhës sё shqiptarëve tё Greqisë, Evropa po zhdukte njё pjesё tё vetvetes. Njё pjesё tё trupit tё saj, pa tё cilёn, ndoshta nesёr, nuk do tё mund t’i mbijetonte  stuhive, sfidave tё historisë.

Ishte pikёrisht kjo ndjesi, dyshim, qё nё kohё do tё shndërrohej nё bindje, e cila e nxiti J.G. Hahn tё memorizojё nё rreshtat e “Studimeve Shqiptare” gjithçka qё mundi mblidhte mbi historinë, kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar, jo vetëm në Greqi por kudo që ai jetonte në Ballkan.

 

Tiranë, 02. 12. 2015.